Lajme Zone
"Nëse do të isha kandidat, do të kishim fituar"/ Trump reagon pas humbjes së republikanëve
BotëCNA
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

"Nëse do të isha kandidat, do të kishim fituar"/ Trump reagon pas humbjes së republikanëve

Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se lufta me Ir...

Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se lufta me Iranin ka ndikuar në humbjen e republikanëve në zgjedhjet mesmandatit, duke përmendur veçanërisht rritjen e çmimeve të karburantit. Megjithatë, ai theksoi se nuk pendohet për vendimin për të sulmuar Iranin dhe se do të vepronte sërish në të njëjtën mënyrë nëse do të përballej me të njëjtën situatë.

Në deklaratat e tij të para pas humbjes elektorale, të bëra përpara gazetarëve në ambientet ku po ndërtohet salla e re e pritjeve në Shtëpinë e Bardhë, Trump pranoi se konflikti ka pasur një kosto politike për Partinë Republikane. I pyetur për vlerësimin e zëvendëspresidentit JD Vance, i cili kishte lidhur humbjen e republikanëve me luftën në Iran, Trump u shpreh se ishte dakord në një masë të madhe. “Besoj se kjo është kryesisht e vërtetë, sepse shkaktoi një rritje të vogël të çmimeve të benzinës në afat të shkurtër”, deklaroi ai. Trump tha se e kishte parashikuar ndikimin e luftës në skenën e brendshme politike amerikane, por nënvizoi se kjo nuk do ta ndryshonte vendimin e tij. “E dija që lufta do të kishte ndikim. Por, pavarësisht nëse do të kishte ndikim apo jo, Irani nuk mund të pajiset me armë bërthamore”, theksoi presidenti amerikan. Pavarësisht kostos politike dhe humbjes së republikanëve, Trump mbrojti vendimin për ndërhyrjen ushtarake kundër Teheranit, duke e cilësuar parandalimin e një arme bërthamore iraniane si një prioritet strategjik. “Nëse do të më duhej ta bëja përsëri, do ta bëja, sepse në planin afatgjatë kjo është zgjidhja e vetme. Nuk mund ta lejosh Iranin të zotërojë një armë bërthamore”, deklaroi ai. Kreu i Shtëpisë së Bardhë pretendoi gjithashtu se operacionet ushtarake kanë shkatërruar plotësisht kapacitetet ushtarake iraniane. “Nuk do të bëja asgjë ndryshe në lidhje me këtë luftë. I kemi shkatërruar plotësisht forcat e tyre të armatosura. Marina e tyre është zhdukur. Edhe aviacioni i tyre është zhdukur”, u shpreh Trump. Duke folur për të ardhmen politike të Partisë Republikane, Trump la të hapur mundësinë e ndryshimeve në garat e ardhshme elektorale, pa dhënë emra konkretë apo parashikime. Ai ia atribuoi një pjesë të humbjes edhe faktit se vetë nuk ishte kandidat në fletën e votimit, duke pretenduar se popullariteti i tij në mitingje nuk u përkthye në mbështetje për kandidatët republikanë. “Nëse do të isha kandidat, do të kishim fituar. I patë turmat, mitingjet ishin të mbushura plot me mijëra e mijëra njerëz. Por ata nuk arritën ta transferonin atë dashuri te kandidatët e tyre”, deklaroi presidenti amerikan. Trump u ndal edhe te marrëdhëniet me demokratët, të cilët kanë fituar shumicën pas zgjedhjeve, duke u shprehur i gatshëm për bashkëpunim, për sa kohë që ata nuk ndërmarrin hapa që ai i konsideron shkatërrues. “Me shumë mundësi do të shkoj mirë me demokratët, përveç rastit kur ata duan të jenë shkatërrues. Por unë kam të drejtën e vetos. Nëse nuk na pëlqen ajo që bëjnë, mund ta përdorim atë”, tha Trump. Ai konfirmoi se demokratët e kishin kontaktuar tashmë për të diskutuar çështje të ndryshme. I pyetur nëse shqetësohet për mundësinë e një procedure të re shkarkimi, presidenti amerikan e hodhi poshtë këtë mundësi. Trump e mbylli deklaratën duke këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara janë në një gjendje më të mirë se kurrë më parë, pavarësisht humbjes elektorale të republikanëve dhe pasojave politike të luftës me Iranin. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.