Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka reaguar këtë të enjte lidhur me takimin e kryeministrit Edi Rama me kryetarët socialistë të bashkive, në kuadër të diskutimeve për reformën e re territoriale. Në një deklaratë, Kedhi pretendon se takimi i zhvilluar një ditë më parë në Kuç të Vlorës, i konceptuar si një konsultim me drejtuesit vendorë, është shoqëruar me debate, kërcënime dhe përjashtimin e disa kryetarëve të bashkive nga mbledhja. Sipas tij, kjo situatë tregon se qeveria e ka marrë më herët vendimin për ndryshimin e hartës territoriale dhe se konsultimet me komunitetet janë thjesht formale. “Konsultimi nuk bëhet për të bindur qytetarin për një vendim të marrë më parë. Konsultimi bëhet që mendimi i qytetarit të ndikojë te vendimi”, shprehet Kedhi. Nënkryetari i PD-së e ka cilësuar reformën territoriale si një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë te komunitetet lokale. Ai thotë se në disa zona të vendit, mes tyre Poliçani, Selenica, Divjaka dhe Dimali, qytetarët kanë kundërshtuar ndryshimet e propozuara. Kedhi pretendon gjithashtu se edhe këshilla bashkiakë kanë votuar kundër shkrirjes së bashkive, duke e interpretuar këtë si shenjë të rritjes së kundërshtimit ndaj nismës së qeverisë. Sipas tij, problemi nuk qëndron te reforma territoriale në vetvete, por te mënyra se si po ndërmerret ajo. “Problemi për Ramën nuk është reforma territoriale. Problemi është se, pas vitesh presioni, arrogancë dhe kontrolli absolut, njerëzit kanë filluar t’i thonë jo”, deklaron ai. Kedhi i është referuar edhe Kushtetutës së Shqipërisë dhe Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore, duke argumentuar se ndryshimi i kufijve të njësive vendore duhet të shoqërohet me konsultim me popullsinë dhe autoritetet lokale. Partia Demokratike, sipas tij, mbështet një model të pushtetit vendor të bazuar te decentralizimi i kompetencave dhe financave, si dhe te ruajtja e identitetit të komuniteteve. Në përfundim të deklaratës, Kedhi ka akuzuar kryeministrin Rama për arrogancë ndaj të zgjedhurve vendorë dhe ka pretenduar se qytetarët po “humbin frikën” dhe po kundërshtojnë vendimet që, sipas tij, merren në mënyrë të centralizuar nga Tirana. “Dje në Kuç nuk pamë forcën e Edi Ramës. Pamë panikun e dordolecit në krye të arës që nuk tremb më askënd”, përfn deklaratën nënkryetari i PD-së.
