Lajme Zone
Nënë e bir humbën jetën në aksidentin tragjik në Greqi, eksperti: Po udhëtonin me shpejtësi të lartë
BotëJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 9 burime — Krahaso mbulimin →

Nënë e bir humbën jetën në aksidentin tragjik në Greqi, eksperti: Po udhëtonin me shpejtësi të lartë

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur më 7 gusht në Serres të Greqisë, ku humbën jetën një 43-vjeçare shqiptare dhe djali i saj 21-vjeçar.

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur më 7 gusht në Serres të Greqisë, ku humbën jetën një 43-vjeçare shqiptare dhe djali i saj 21-vjeçar.

Nënë e bir, banues prej vitesh në Palaiokomi, punonin në të njëjtën kompani në Paralia Ofryniou. Të premten në mëngjes ata u nisën së bashku për në punë, por rreth orës 07:30 automjeti me të cilin udhëtonin u përplas frontal me një kamion.

Përplasja ishte fatale për 21-vjeçarin, i cili ndodhej në timon, dhe nënën e tij. Të dy humbën jetën në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i kamionit pësoi dëmtime të lehta dhe u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës. Sipas të dhënave paraprake, gjendja e tij nuk paraqet rrezik për jetën.

Në përpjekje për të zbardhur rrethanat e aksidentit, një rol të rëndësishëm pritet të ketë edhe kamera e instaluar në kamion. Pamjet kanë regjistruar sekondat para përplasjes dhe tashmë po shqyrtohen nga autoritetet për të përcaktuar me saktësi mënyrën se si ndodhi aksidenti.

Eksperti dhe analisti i aksidenteve rrugore, Georgios Karydas, tha se nga të dhënat fillestare krijohet dyshimi se automjeti i nënë e bir po udhëtonte me shpejtësi të lartë.

“Automjeti duket se kishte një shpejtësi të madhe, dukshëm mbi kufirin e lejuar për atë rrugë. Kamioni po lëvizte normalisht në korsinë e tij”, deklaroi Karydas.

Sipas ekspertit, pamjet e para sugjerojnë se 21-vjeçari mund të ketë humbur kontrollin mbi automjetin, i cili ka kaluar në korsinë e kundërt dhe më pas është përplasur drejtpërdrejt me kamionin.

Karydas e lidh paraprakisht humbjen e kontrollit me shpejtësinë e automjetit, kthesën në atë pjesë të rrugës dhe forcën centrifugale. Megjithatë, këto janë vlerësime paraprake dhe nuk përbëjnë një përfundim përfundimtar mbi shkaqet apo përgjegjësinë e aksidentit. Hetimi i policisë rrugore do të përcaktojë rrethanat e plota të ngjarjes.

Tragjedia ka tronditur komunitetin e Palaiokomisë, ku familja shqiptare jetonte dhe punonte prej vitesh.

Babai i 21-vjeçarit përjetoi një nga humbjet më të rënda, pasi në të njëjtin aksident humbi bashkëshorten dhe djalin e tij. Ai tregoi se të dy ishin nisur si zakonisht për në punë.

“Kam humbur edhe gruan, edhe fëmijën tim. Po shkonin në punë. Nuk e di çfarë ndodhi. I humba të gjithë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, hetimet e policisë rrugore greke vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e përplasjes, shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit dhe përgjegjësitë për ngjarjen tragjike.