Lajme Zone
Negociatat SHBA-Iran zbresin naftën në 78$ në bursa, por në Shqipëri vijon të shitet me 214 lekë
PolitikëJOQ Albania

Negociatat SHBA-Iran zbresin naftën në 78$ në bursa, por në Shqipëri vijon të shitet me 214 lekë

Investitorët në tregjet ndërkombëtare po reagojnë me optimizëm ndaj sinjaleve për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Pritshmëritë për uljen e tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit kanë rritur besimin e tregjeve se furnizimi global me lëndë djegëse po shkon drejt normalizimit.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, nafta e tregut referues Brent ka zbritur nën nivelin e 78 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo amerikane WTI (West Texas Intermediate) ka vijuar rënien në rreth 79 dollarë për fuçi. Analistët e tregjeve financiare vlerësojnë se kjo ulje po nxitet nga parashikimet për rikthimin e plotë të eksporteve iraniane dhe rritjen e ofertës në tregun ndërkombëtar. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se paqëndrueshmëria mbetet e pranishme, pasi mungesa e detajeve mbi zbatimin konkret të marrëveshjes dhe situata në Ngushticën e Hormuzit mund të sjellin sërish luhatje çmimesh në ditët në vijim.

Për Shqipërinë, një ulje e qëndrueshme e çmimit të naftës në bursa mund të krijojë hapësirë për rënien e kostove të importit të karburanteve. Por, siç ndodh zakonisht, ndikimi në pikat e karburantit në vend nuk është i menjëhershëm, pasi varet nga stoqet ekzistuese, kostot e transportit dhe mënyra e furnizimit të kompanive importuese.

Në tregun vendas, çmimet e karburanteve vijojnë të mbeten në nivele të larta, ku nafta po tregtohet me rreth 214 lekë për litër dhe benzina me 199 lekë për litër. Nisur nga kjo situatë, Konfindustria i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë ndërhyrje me masa konkrete në katër drejtime kryesore: uljen me 15% të taksave që rëndojnë mbi karburantet, ringritjen e Bordit të Transparencës, monitorimin e rreptë të cilësisë së lëndës djegëse dhe rritjen e kontrolleve për parandalimin e naftës kontrabandë.