Kryeministri i vendit, Edi Rama, e cilësoi lajm të mirë vendimin e Evropës për të hapur një kanal komunikimi me Rusinë, me synimin për të negociuar arritjen e paqes në Ukrainë. Gjatë takimit të Koalicionit për Ukrainën në Berlin, Rama u shpreh se mosnisja e këtij dialogu që në fillim të luftës ka qenë një gabim strategjik.
Rama e përshëndeti vendimin që një përfaqësi e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, së bashku me Britaninë e Madhe, të zhvillojnë bisedime me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit.
Lidhur me këtë zhvillim, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Emilio Çika, i ftuar në emisionin “Tirana Live”, deklaroi se nisma diplomatike e Evropës është e mirëpritur, por vjen me vonesë. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë përpjekjet diplomatike për të rikuperuar kohën e humbur dhe për të rikthyer rolin e tij në tryezat ku diskutohen çështjet e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Çika theksoi se, pavarësisht mbështetjes së drejtë që Evropa i ka dhënë Ukrainës, është e domosdoshme hapja e kanaleve të dialogut me Moskën. Ai komentoi gjithashtu edhe Samitin në Shenzhen të Kinës, ku Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping diskutuan për sfidat globale.
Sipas Çikës, mungesa e Bashkimit Evropian në tryeza të tilla është një sinjal që duhet marrë në konsideratë, ndërsa Brukseli dhe Britania e Madhe duhet të ndërmarrin një angazhim të përshpejtuar diplomatik.
Eksperti vlerësoi se Evropa duhet të angazhohet më fort në diplomacinë ndërkombëtare, në mënyrë që të jetë pjesë aktive e diskutimeve dhe vendimmarrjeve për të ardhmen e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zgjidhjen e konflikteve.
“Është mirë që po ndodh, por është pak i vonuar. Edhe pse është një vendim i vonuar dhe vazhdon me mbështetje për Ukrainën, një mbështetje e drejtë, duhet thënë, por Evropa duhet të hapë kanalet e dialogut me Rusinë. I munguari i madh në tryezë është BE-ja. Kjo sjell edhe një mesazh dhe mospërfshirja e tij në këtë takim për të ardhmen e marrëdhënieve ndërrajonale dhe është e qartë që BE-ja do të duhet, dhe këtu po përfshij edhe Britaninë e Madhe, që të ndërmarrin një turravrap diplomatik. BE-ja domosdoshmërisht duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë dhe të qenësishëm për të kthyer rolin e saj me të tre fuqitë”, tha ai. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet

