Një qytetare nga Lushnja ka denoncuar mënyrën se si është trajtuar vajza e saj në Urgjencën e Spitalit të Lushnjes. Ajo ka treguar se vajza e saj pas një rrëzimi dhe dëmtimit të dorës, u dërgua në urgjencë, por nuk iu bë grafi. Të nesërmen, sipas familjes, një grafi e kryer në Rrogozhinë tregoi se vajza kishte pësuar frakturë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar rreth orës 21:00. Vajza ishte rrëzuar dhe kishte dëmtuar dorën. Ajo kishte dhimbje të forta dhe, sipas nënës, pothuajse nuk mund ta lëvizte.
Familjarët e dërguan menjëherë në Urgjencën e Spitalit të Lushnjes për të marrë ndihmën mjekësore. Por, sipas nënës, pas vizitës mjekësore nuk iu bë një ekzaminim radiografik. Ajo pretendon se mjeku u tha se grafia nuk ishte e nevojshme dhe se dëmtimi ishte i lehtë prandaj duhet ta vendoste akull në dorë dhe të priste që gjendja të përmirësohej.
“Ajo që ndodhi ishte skandaloze. Vajza nuk u dërgua për të bërë grafi, pasi mjeku na tha se nuk ishte e nevojshme dhe se bëhej fjalë vetëm për një dëmtim të lehtë. Na u tha që ta mbante dorën me akull dhe se do t’i kalonte”.
Por sapo vajza u kthye në shtëpi dhimbjet u shtuan dhe vazhduan gjatë gjithë natës.
Të nesërmen, duke parë se gjendja e saj nuk po përmirësohej, familjarët vendosën ta dërgonin për një grafi në Rrogozhinë dhe rezultati i grafisë tregoi se dora e vajzës ishte e thyer.
“Vajza ime u dërgua në shtëpi nga Urgjenca e Lushnjes me një dorë të thyer, ndërkohë që ne u siguruam se ‘nuk kishte asgjë’”, shprehet nëna.
Ajo kërkon që rasti të verifikohet nga institucionet përgjegjëse dhe të sqarohet se përse vajzës nuk iu krye grafia që në momentin kur u paraqit në Urgjencë.
Nëna thotë se vendosi ta bëjë publik rastin jo vetëm për vajzën e saj, por edhe për pacientët e tjerë që mund të përballen me situata të ngjashme.
“Kur bëhet fjalë për shëndetin, sidomos për fëmijët, nuk mund të ketë neglizhencë. Një kontroll i thjeshtë dhe një grafi mund të kishin shmangur një natë të tërë dhimbjesh dhe vuajtjesh për vajzën time”, shprehet ajo.

