Një 43-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar këtë të martë në qytetin e Gjirokastrës me qëllim ekstradimin drejt Spanjës. Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë K. B., 43 vjeç, i cili akuzohet në Spanjë për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike. Ndërkohë, mësohet se 43-vjeçarit, Gjykata e Sabadellit, në muajin qershor 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për të dyja veprat penale. “Si rezultat i punës operacionale të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Spanjës, u finalizua një tjetër fazë e operacionit “Fugitive”. Gjatë kësaj faze, u kap në Gjirokastër dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi K. B., 43 vjeç. Gjykata e Sabadellit, Spanjë, në muajin qershor 2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët e Interpol Madridit, për të finalizuar procedurën e ekstradimit të këtij shtetasi, në Spanjë”, thuhet në njoftimin e policisë.
