L’indipendente i ka kushtuar një artikull protestës kundër kryeministrit Edi Rama që mbahet në Tiranë për më shumë se dy muaj në Tiranë. Protesta tashmë ka hyrë në muajin e tretë, që kur shqiptarët nisën “Revolucionin e Flamingove”, në fund të majit. Protesta që nisi fillimisht për zonat e mbrojtura dhe kundër shkatërrimit të tyre, u kthye shumë shpejt në një revoltë dhe protestë kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rma dhe kundër të gjithë klasës së vjetër politike. Më tej artikulli vijon: Protestat e nisura në Shqipëri në mesin e muajit maj kanë hyrë në ditën e 76-të radhazi, ndërsa lëvizja e njohur si “Revolta e Flamingove” ka zgjeruar kërkesat e saj, nga kundërshtimi i projekteve turistike në zonat e mbrojtura, në kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisë dhe klasës politike. Protestuesit mblidhen çdo pasdite në sheshet qendrore të Tiranës dhe më pas marshojnë drejt institucioneve qeveritare. Edhe pse institucionet janë aktualisht në periudhën e pushimeve verore, organizatorët thonë se mobilizimi do të vijojë.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e qeverisë Rama dhe ndryshimi i asaj që ata e konsiderojnë një sistem të korruptuar institucional. Në fokus janë gjithashtu kërkesat për shfuqizimin e ligjeve që lidhen me zonat e mbrojtura, investimet strategjike dhe investimet në zonat malore.
Aktivistët kërkojnë gjithashtu revokimin e lejeve të dhëna në bazë të këtyre ligjeve, duke argumentuar se ato krijojnë mundësi për ndërtime dhe projekte turistike në territore me rëndësi natyrore.
Protesta shtrihet edhe jashtë Tiranës
Lëvizja ka përfshirë edhe çështje të tjera që kanë ngjallur reagime publike. Një prej tyre është propozimi për riorganizimin territorial dhe bashkimin e disa bashkive.
Në Divjakë, qytetarët kanë protestuar prej ditësh kundër bashkimit të propozuar të bashkisë, duke kërkuar tërheqjen e nismës.
Ndërkohë, debat ka shkaktuar edhe financimi i aktiviteteve kulturore dhe koncertit të Kanye West në Shqipëri. Aktivistët kanë kritikuar fondet e alokuara për eventin, duke e krahasuar atë me mbështetjen që marrin në total artet e pavarura në vend dhe duke kërkuar ndryshime në politikat e Ministrisë së Kulturës.
Nismë për referendum
Përveç protestave në rrugë, organizatorët po ndjekin edhe rrugë institucionale.
Lëvizja për Diasporën Shqiptare, së bashku me 11 organizata të shoqërisë civile, ka paraqitur pranë autoriteteve zgjedhore një pyetje referendumi që synon shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura.
Mbështetësit e nismës argumentojnë se kuadri aktual ligjor mund të hapë rrugën për projekte ndërtimore dhe investime që, sipas tyre, rrezikojnë zonat e mbrojtura.
Ndërkohë, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në protestat e Tiranës më 15 dhe 16 gusht, duke synuar t’i japin një dimension edhe më të gjerë mobilizimit.
Nga protestë për zonat e mbrojtura në lëvizje antiqeveritare
“Revolta e Flamingove” nisi fillimisht si reagim ndaj projekteve turistike dhe zhvillimeve të pasurive të paluajtshme në zona të mbrojtura, përfshirë projektin e lidhur me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner.
Me kalimin e javëve, protesta mori karakter më të gjerë politik, duke përfshirë kërkesa për ndryshime në qeverisje dhe kundërshtim ndaj të gjithë klasës politike.
Gjatë protestave janë raportuar edhe përplasje me policinë dhe arrestime të demonstruesve. Organizatorët dhe disa organizata të shoqërisë civile kanë ngritur akuza për përdorim të tepruar të forcës dhe trajtim të paligjshëm të disa prej personave të ndaluar.
Pavarësisht përplasjeve dhe kalimit të më shumë se dy muajve nga nisja e protestave, organizatorët këmbëngulin se lëvizja do të vijojë, ndërsa kërkesat e saj tashmë shtrihen nga mbrojtja e territorit dhe mjedisit deri te ndryshimi i politikave qeverisëse dhe reformimi i institucioneve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: edi rama protesta

