Lajme Zone
Në BE, por nën mbikëqyrje: Rregullat e reja për anëtarët e ardhshëm të bllokut europian
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Në BE, por nën mbikëqyrje: Rregullat e reja për anëtarët e ardhshëm të bllokut europian

Bashkimi Europian po planifikon të vendosë mekanizma të rinj mbrojtës për vendet që do t’i bashkohen bllokut, duke parashikuar mbikëqyrje të shtuar për sundimin e ligjit dhe demokracinë deri në 15 vjet pas anëtarësimit.

Bashkimi Europian po planifikon të vendosë mekanizma të rinj mbrojtës për vendet që do t’i bashkohen bllokut, duke parashikuar mbikëqyrje të shtuar për sundimin e ligjit dhe demokracinë deri në 15 vjet pas anëtarësimit. Propozimi i KE-së, i paraqitur fillimisht në 6 tetor, synon të parandalojë që shtetet e reja anëtare të shënojnë regres demokratik pasi të bëhen pjesë e Unionit. Nisma vjen pas përvojave me Hungarinë dhe Poloninë, ku ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor, kontrolli mbi mediat dhe dobësimi i institucioneve demokratike kanë nxitur përplasje të vazhdueshme me Brukselin.

Rasti i Hungarisë nën drejtimin e Viktor Orbanit tregoi gjithashtu se një shtet anëtar mund të përdorë të drejtën e vetos për të penguar vendimmarrjen e përbashkët të BE-së, përfshirë çështjet që lidhen me Rusinë dhe mbështetjen për Ukrainën.

Një nga risitë kryesore të propozimit është mundësia që, gjatë 15 vjetëve të parë pas anëtarësimit, ndaj vendeve që shënojnë regres në sundimin e ligjit të merren masa me shumicë të kualifikuar, pa u kërkuar unanimiteti.

Kjo do ta lehtësonte pezullimin e fondeve europiane dhe, në raste të caktuara, kufizimin e të drejtave të anëtarësimit, duke synuar të kapërcejë pengesat që e kanë bërë të vështirë zbatimin e nenit 7 të Traktatit të BE-së.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se mekanizmi i propozuar nuk e zgjidh plotësisht problemin. Pas përfundimit të periudhës 15-vjeçare, një shtet mund të shënojë sërish regres demokratik, ndërsa anëtarët aktualë të BE-së do të vazhdojnë t’u nënshtrohen procedurave ekzistuese.

Ballkani Perëndimor pritet të jetë rajoni ku mekanizmi i ri do të ketë rëndësinë më të drejtpërdrejtë, e Mali i Zi, i cili synon anëtarësimin në vitin 2028, mund të jetë vendi i parë që do t’i nënshtrohet këtyre rregullave.

Nëse ky afat realizohet, mbikëqyrja e shtuar mund të vazhdojë deri në vitin 2043. Ndërkohë, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë gjithashtu pjesë e vëmendjes së BE-së për reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e mediave. Përtej vendeve kandidate, strategjia e re synon të rrisë besimin e qytetarëve të shteteve anëtare te procesi i zgjerimit.

Përmes garancive shtesë dhe lidhjes së fondeve me përmbushjen e standardeve demokratike, Komisioni Europian shpreson të lehtësojë ratifikimin e traktateve të ardhshme të anëtarësimit. Top Channel