Klodiana Spahiu e nisi detyrën si ministre e Shëndetësisë me një premtim për më shumë komunikim dhe dëgjesa me qytetarët. Një zyrë e veçantë, sipas urdhrit të saj, do të jetë e hapur nga ora 08;00 e mëngjesit, për të dëgjuar problematikat që nuk kanë gjetur zgjidhje në institucione të tjera. “Duke filluar që nesër do të kemi një zyrë të hapur që në orën 08:00 të mëngjesit, për të adresuar dhe dëgjuar një problematikë që nuk është zgjidhur diku tjetër”, deklaroi Spahiu gjatë prezantimit të saj në detyrë.
Natyrshëm, lind pyetja: nëse në orën 08:00 nis dëgjimi i problemeve, në ç’orë nis zgjidhja e tyre?
Është faktuar prej vitesh se qytetarët përballen me problematika të panumërta në sistemin shëndetësor dhe çdo ministër apo ministre e re që ka ardhur ka premtuar vetëm një gjë: zgjidhjen e problemeve, e në fund, është larguar bashkë me premtimet e pambajtura.
Ndaj, pritshmëria e qytetarëve nuk është vetëm të kenë një derë të hapur për të folur, por kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe zgjidhje konkrete.
Spahiu tha se synimi është që problematikat dhe mungesat “të vijnë duke u pakësuar dhe duke u përmirësuar”, duke kërkuar angazhimin e institucioneve shëndetësore terciare.
Megjithatë, premtimi për një zyrë që hapet herët për të dëgjuar ankesat nuk është zgjidhje. Testi real për ministren e re do të jetë nëse ato problematika do të përfjnë në një listë ankesash të dëgjuara apo në zgjidhje konkrete.
Në fund të fundit, qytetari mund të presë që zyra të hapet në 08:00. Pyetja është: kur do të hapet dera e zgjidhjes? Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

