Një 70-vjeçar në Tiranë është bërë pre e një skeme mashtrimi, ku tre të rinj dyshohet se kanë përdorur Inteligjencën Artificiale për ta bindur që t’u dorëzonte 100 mijë euro.
Policia ka arrestuar dy prej të dyshuarve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë Brian Serica, 31-vjeç, dhe Skerdi Meta, 23-vjeç. Ndërkohë, në kërkim është shpallur R. H., 31-vjeç.
Sipas autoriteteve, të rinjtë kanë komunikuar me 70-vjeçarin përmes mesazheve, duke u paraqitur si persona të njohur të tij. Dyshohet se, përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale, ata kanë arritur ta bindin 70-vjeçarin se bëhej fjalë për një person që ai e njihte.
I moshuari, i cili ushtronte aktivitetin e këmbimit valutor, është bindur që t’u dorëzonte shumën prej 100 mijë eurosh, me pretendimin se paratë do t’i ktheheshin pas disa orësh.
Por koha kaloi dhe shuma nuk iu kthye. Pas kësaj, 70-vjeçari ka denoncuar rastin pranë Policisë, duke bërë të mundur nisjen e hetimeve.
Uniformat blu kanë arrestuar dy të dyshuarit, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e R. H.
Paralelisht, hetuesit po punojnë për identifikimin e personit që shkoi pranë subjektit të 70-vjeçarit dhe mori shumën prej 100 mijë eurosh.
Rasti po hetohet nga autoritetet, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar roli i secilit prej personave të dyshuar në skemën e mashtrimit.

