Kreu i PD Sali Berisha nëpërmjet një statusi në facebook, ka shprehur një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Skënder Halucit, ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës dhe ish-i burgosur politik i regjimit komunist. Berisha shpreh nderimin dhe mirënjohjen për kontributin e çmuar të Skënder Halucit. REAGIMI I PLOTË; Nderim për Skënder Halucin Miq, Skënder Haluci, një i mbijetuar i genocidit komunist, ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës, bashkëshort, prind dhe qytetar shembullor, mbylli parakohe sytë përgjithmonë. Pasardhës i një familjeje atdhetare e antikomuniste, i mekuar me vlerat dhe virtytet më të mira njerëzore, Skënder Haluci që në rini të tij të hershme për shkak të origjinës familjare u përball me përsekutimin më të egër politik: arrestimin brutal, torturat më çnjerëzore dhe dënimin kapital me vdekje, e më pas me 25 vite burg, për një krim që nuk e kishte kryer kurrë.
Pasi la 10 vite të rinisë së tij në burgjet më të zeza të diktaturës hoxhiste, ai u lirua së bashku me të burgosurit e fundit politikë të regjimit komunist. Ai u bashkua, si mijëra bashkëvuajtës të tij, me Lëvizjen Demokratike dhe dha një kontribut të çmuar në përmbysjen e diktaturës më të egër në Evropë.
Vitet e rënda të burgut jo vetëm që nuk ia kishin mekur Skënderit ëndrrën universitare, por e kishin bërë atë edhe më të fuqishme. Pas diplomimit, ai u emërua në detyra të rëndësishme në sistemin gjyqësor, deri si Kryetar i Gjykatës së Vlorës, të cilat i kreu me ndershmëri, aftësi dhe dinjitet.
Mirëpo, e njëjta parti që në rini e dënoi me vdekje, e largoi nga detyra në kulmin e aftësive, përvojës dhe përkushtimit të tij.
Duke shprehur nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë për kontributin e çmuar të Skënder Halucit, i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve e të afërmve.
Ndaj me ta dhimbjen e thellë e zinë për njeriun e tyre të dashur dhe i lutem Zotit që shpirti i mirë i Skënder Halucit të gjejë paqen e merituar! Ngushëllime. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

