Një tabelë rrugore në Vorë sinjalizon qartë se qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë është i ndaluar. Megjithatë, sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, realiteti në terren duket krejt ndryshe.
Qytetari që ka dërguar pamjet tregon se kamionët e rëndë kalojnë vazhdimisht në këtë segment rrugor, duke e bërë tabelën paralajmëruese thuajse të pavlefshme. Në video shihen mjete të tonazhit të rëndë që lëvizin njëri pas tjetrit, pavarësisht sinjalistikës që ndalon qarkullimin e tyre.
Banorët dhe drejtuesit e automjeteve që përdorin këtë aks kërkojnë më shumë kontroll dhe zbatim të rregullave, pasi, sipas tyre, nuk mjafton vendosja e tabelave nëse ato nuk respektohen dhe nuk monitorohen.
Denoncuesi ngre pikëpyetje se kush duhet të garantojë zbatimin e sinjalistikës rrugore dhe pse mjetet e tonazhit të rëndë vijojnë të kalojnë lirshëm në një rrugë ku, sipas tabelës, hyrja e tyre është e ndaluar.
Qytetarët kërkojnë reagimin e institucioneve përgjegjëse për të sqaruar situatën dhe për të ndërhyrë, në mënyrë që rregullat e vendosura të mos mbeten vetëm një tabelë në anë të rrugës.

