“Jemi diplomuar, por nuk na jepet mundësia të punojmë.”
Kjo është një ankesë që përsëritet gjithnjë e më shpesh nga të rinjtë shqiptarë që, pasi përfjnë universitetin, përballen me një treg pune ku eksperienca kërkohet edhe për pozicionet më fillestare.
Një i sapodiplomuar në Ekonomi i është drejtuar redaksisë sonë, duke treguar se prej një viti po përpiqet të gjejë një vend pune. Problemi që ai ngre, megjithatë, nuk lidhet vetëm me ekonomistët, por me shumë të rinj që dalin nga universiteti pa eksperiencë.
“Jam i sapodiplomuar në Ekonomi dhe prej një viti po zvarritem për të gjetur punë”, shkruan ai.
Sipas tij, shumë njoftime kërkojnë njohjen e programeve specifike financiare dhe 2-3 vite eksperiencë. Por këtu lind pyetja: si mund të fitosh eksperiencë, nëse askush nuk të jep mundësinë e parë?
Denoncuesi tregon se është përballur edhe me raste kur i është kërkuar të mësojë një program për një periudhë pa pagesë, ndërsa pozicione të prezantuara si “ndihmës ekonomist” përfshijnë edhe detyra që nuk kanë lidhje me profesionin.
Një tjetër problem është mungesa e komunikimit. Ai thotë se ka kontaktuar disa herë të njëjtin biznes për njoftime pune, por nuk ka marrë as një përgjigje nëse pozicioni ishte plotësuar.
Dhe këtu lind pyetja: a është kaq e vështirë t’i thuash një të riu “vendi i punës u zu”?
Në Shqipëri dëgjohet shpesh se të rinjtë nuk duan të punojnë. Por nga ana tjetër, shumë prej tyre thonë se janë të gatshëm të punojnë, vetëm se përballen me një barrierë: duhet të kenë eksperiencë për të marrë punën e parë.
Ky është paradoksi: universiteti të jep diplomën, ndërsa tregu kërkon eksperiencë.
Eksperienca është e rëndësishme, por për pozicionet hyrëse duhet të ketë edhe hapësirë për ata që kërkojnë mundësinë e parë për të mësuar dhe për t’u zhvilluar.
Sepse përpara se të thuhet se “të rinjtë nuk duan të punojnë”, duhet bërë edhe pyetja tjetër:
A po u jepet të rinjve mundësia për të punuar?
“Thuhet gjithnjë e më rëndomtë që të rinjtë nuk punojnë. Ju lutem, duam e respektojmë, minimumi, çfarë na kërkohet në intervistë pune të na ofrohet”, përfn denoncuesi.

