Aktivisti Ilir Xhemalaj, i ftuar në studion e “News24“, ka folur mbi ecurinë dhe qëllimin e protestave masive kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, të cilat vijojnë prej më shumë se dy muajsh në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij, Xhemalaj theksoi se lëvizja qytetare po bën bashkë njerëz të kategorive të ndryshme sociale, të cilët bashkohen nga të njëjtat probleme të përditshme dhe nga dashuria për vendin: “Na bashkon qëllimi i përbashkët. E para është atdhedashuria për vendin dhe e dyta rrëzimi i qeverisë aktuale dhe sistemit 80-vjeçar që ka bllokuar energjinë e të rinjve që sot është derdhur në shesh dhe po kërkon ndryshim. Atdhedashuria është e para. Njerëzit përbashkohen nga problemet e njëjta që kanë, hallet e njëjta që kanë.” “Në shesh ka shumë njerëz të ndryshëm, grupime të ndryshme; pensionistë, të rinj, studentë, shtresa e mesme që nuk ble dot një shtëpi, nuk gjejnë dot punë. Ka nga të gjitha shtresat në protestë.” Më tej, aktivisti e krahasoi komunitetin e protestuesve me një familje të madhe, ku ka dashuri por edhe mendime te ndryshme apo mosmarrëveshje të momentit. Sipas tij, pavarësisht dallimeve, qëllimi përfundimtar mbetet i palëkundur.
“E konsiderojmë veten një familje të madhe që na ka bërë sheshi bashkë dhe rrimë të gjithë së bashku që ta çojmë përpara këtë protestë. Dhe si familje kemi edhe mosmarrëveshje ndonjëherë, por të gjitha zgjidhen aty për aty.” © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
