Armando Broja, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani janë mungesat e mëdha në listën me 29 futbollistë të grumbulluar te kombëtarja e Shqipërisë nga trajneri Ronaldo Maran për Ligën e Kombeve. Italiani i kuqezinjve ka befasuar jo pak duke rikthyer pas 2 viteve Etrit Berishën pas përçarjes që pati me Sylvinho-n. Kjo edhe si pasojë e mungesës së portierit Strakosha për shkak dëmtimi, ndërsa 2 risitë janë mbrojtësi Samuele Sina i cili luan me Union Brescia në Seria C si dhe mesfushori Sabah Kerjoja, i cili aktivizohet te Hearts në Skoci. “E telefonave Berishën dhe ishte i lumtur. E vlerësoj mes portierëve më të aftë të Shqipërisë. Nëse do ishte Strakosha ai do vinte gjithsesi. Sa i përket Brojës dhe Bajramit,vlerësova kushtet e përgjithshme, momentale dhe nuk është një derë që mbyllet. Në këto moment kam bërë zgjedhje të tjera,”-u shpreh fillimisht Maran. LEXO edhe...Eksod nga Kosova? Shkon në 4 numri i lojtarëve të tërhequr pas largimit të Amir Rrahmanit Për t’u theksuar është edhe grumbullimi i Ivan Balliut, i cili ishte pranë dorëheqjen nga kombëtarja. Maran theksoi se objektivi në Ligën e Kombeve është vendi i parë dhe se ka organikën në dispozicion për ta arritur diçka të tillë. Italiani evidentoi momentin e mirë që po kalojnë sulmuesit Seferi e Manaj mbi të gjithë, por edhe Cristian Shpendi e Anis Mehmeti. Për Report TV ai komentoi edhe zgjedhjet e Adri Mehmetit, i cili u grumbullua nga SHBA-të si dhe Brajan Gruda i cili mori ftesën e Jurgen Kloop te Gjermania. “Sigurisht të gjithë e dinë interesin në mënyrë direkte apo indirekte. I kam krahët e hapur për të gjithë që duan të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi. Të gjitha procedurat janë bërë. Unë preferoj të flas për lojtarët që janë pjesë e kësaj liste,”-tha trajneri i Kombëtares. Kombëtarja shqiptare do të nisë grumbullimin në ‘Shtëpinë e Futbollit’ të hënën e 21 shtatorit, ndërsa për herë të parë, si pasojë e ndryshimeve të kalendarit nga FIFA do të jenë 4 ndeshje radhazi në Ligën e Kombeve. Me 26 shtator kuqezinjtë do të presin Bjellorusinë në Air Albania, me 29 shtator luan në transfertë kundër San Marino dhe me 3 tetor po në transfertë kundër Finlandës. Ndeshja e 4 do të jetë sfida e kthimit në Tiranë më 6 tetor ndaj San Marinos. Konferenca e plotë e trajnerit Rolando Maran “E qartë që situatat mund të bëjnë që zgjedhjet të jenë të ndryshme. Padyshim, mund të ishim në kushte të ndryshme, ka disa që janë në kushte të ndryshme dhe kjo bën që unë të bëj një listë dhe grumbullime në varësi të asaj që kam parë e monitoruar këtë javë e duke bërë reflektime të vëmendshme. Berisha është lojtar që po tregon se është mirë, kam folur me të. Kemi edhe mungesën e Strakoshës dhe vlerësova portierët më të mirë që ishin në këto momente dhe ai hyn mes tyre, e telefonova dhe ishte i lumtur. Sa i përket Brojës e Bajramit, vlerësova kushtet e përgjithshme, momentin, nuk është derë që mbyllet. Kam folur me ta, në këtë moment kam bërë zgjedhje të ndryshme, janë zgjedhje të diktuara nga momenti dhe kaq. Sina dhe Kerjota? Kerjotën e kemi vëzhguar që nga sezoni i kaluar ku ka qenë protagonist me ekipin e tij. Me klubin pothuajse arritën të fitojnë kampionatin, ka karakteristika që mund të ndihmojnë skuadrën. Pak e vështirë dhe e lodhshme që të ndjekësh lojtarë që luajnë në kampionate të ndryshme. Prandaj kisha dëshirë që disa nga këto lojtarë t’i kisha në grumbullim, që t’i shikoja nga afër. Sa i përket të tjerëve që i kisha të grumbulluar, i kam parë dhe vëzhguar, dhe është lojtar interesant për të cilin kam kuriozitet që ta shoh nga afër. Sina është vendosur në evidencë në kohët e fundit, luan në një kampionat të vështirë. Ka qenë protagonist dhe ka shënuar. Në aspektin difensiv mund të kemi mungesa dhe vështirësi. Mbetet për t’u vlerësuar nëse do ketë vazhdimësi me skuadrën tonë apo mund të vazhdojë me U-21. Superiorja? Mund të kishin qenë edhe lojtarë të tjerë të grumbulluar. Në pozicione të caktuara kemi pasur mungesa të lojtarëve. Kam qenë në dyshim deri në minutat e fundit, i kam parë dhe nga afër një pjesë tjetër të lojtarëve, por i kam besuar këtij blloku që ka qenë dhe në ndeshje të tjera. Ka lojtarë interesantë kampionati shqiptar, shpresoj në vijim të kem mundësi që të grumbulloj lojtarë të tjerë. Të rinjtë? Unë mendoj se është një reflektim që duhet bërë. Kthehem pak te 19 maji, kur presidenti më kërkoi si objektiv fillestar të fitoja grupin në Ligën e Kombeve. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të marrim lojtarë si SIna që kanë spikatur, por duhet siguruar menjëherë edhe rezultati. Përmendni shumë lojtarë me karakteristika ofensive, ku kemi shuam lojtarë, mbeten në shtëpi alternativa të rëndësishme. Mua më është dashur të thërras ndonjë lojtar më shumë për shkak të dëmtimeve, por të merrja lojtarë që do kisha vështirësi të aktivizoja do ishte e vështirë. Objektivi është të rrit numrin e lojtarëve, kemi një grup më të kufizuar në krahasim me të tjerërt që mund të zgjedhin. Por edhe ne kemi lojtarë që mund të zgjidhen e shumë shpejt do t’i shihni. Besimi është dhe ata e dinë, e dinë se sa jam i vëmendshëm edhe ndaj tyre. E kam bërë ndryshe, duke treguar interesimin tim, dua thjesht që të jenë në kushte ideale, por interesin e dinë shumë mirë. Berisha? Me të fola qartësisht se është një lojtar i cili nëse shkon në fushë e mbron ekipin tij do të thotë që është në formë të mirë dhe nuk është se duhet të shoh moshën, si të jetë 17 apo 37. Unë e vlerësoj mes portierëve më të aftë të Shqipërisë, nëse do ishte Strakosha, do vinte gjithsesi. Do vinte gjithsesi e do zgjidhja kush është më mirë, kam shumë besim te potenciali i tij. Do të kuptoj nëse meriton të luajë më shumë ai apo tjetër, mendoj se është pjesë e ligjit të sportit dhe është e drejtë kështu. Gruda dhe Mehmeti? Sigurisht të gjithë e dinë interesin në mënyrë direkte apo indirekte. I kam krahët e hapur për të gjithë që duan të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi. Të gjitha procedurat janë bërë. Unë preferoj të flas për lojtarët që janë pjesë e kësaj liste. Golashënuesit? Shpresoj të kenë ruajtur disa gola dhe për ne. Nuk ka qenë e lehtë për ta bërë listën. Ka të tjerë që do kisha preferuar të ishin të grumbulluar. Besoj shumë te potenciali i tyre. Uroj të jenë protagonistë sepse prezenca e tyre është esenciale me Kombëtaren. Në ndeshjet e qershorit janë bërë gjëra pozitive e negative. Ishte e rëndësishme që të mbërrinim në këto ndeshje me një pamje më të mirë. Ndeshjet na kanë dhënë indikacionin si pozitivisht, edhe negativisht që duhet ta mendoj e shfrytëzoj. Ideja do të jetë që të punojmë dhe në gjëra të ndryshme në varësi të lojtarëve që do hedh në fushë. Duke i vendosur në kushte për të dhënë maksimumin. Janë gjëra që duhet të rishikoja, që në këto ndeshje do të vendosja në zbatim. Pres të shoh një skuadër që lufton, të shkojë në fushë, të bëjë ndeshjen dhe të tregojë se jemi më të aftë se kundërshtarët, nëpërmjet lojës, vuajtjes. Dua të shoh që çdo lojtar të lërë çdo pikë djerse në fushë. Nëse e bëjmë këtë, do të kemi mundësinë të gëzohemi në fund të ndeshjes. Do të jemi të ndërgjegjshëm se cila është forca jonë dhe kemi karakteristika të caktuara, që duhet t’i shfrytëzojmë dhe mos kemi frikë. Nuk jam shumë pragmatist, do të shohim si do zhvillohet skuadra në fushë. Nuk varet vetëm nga sistemi i lojës, por dhe qasja që do ketë skuadra. Për të arritur besimin dhe vlerësimin, duhet paraqitje dhe rezultate shumë të mira. Jemi të bindur që duke shfrytëzuar këto karakteristika, do të bëjmë mirë. Kam zgjedhur këto lojtarë sepse mendoj janë të duhurit aktualisht. Kemi dhe lojtarë të tjerë që mund të bëjnë rolin e mbrojtësit të djathtë. Sina dhe pse është mbrojtës qendre, mund të luajë djathtas. Bazuar dhe në modulin si luajmë, duke marrë parasysh që fokuohemi të krijojmë hapësira dhe të jemi pak më të avancuar në sulm, mendoj se mund të funksionojë. Lojtari nga U-21 ishte i dëmtuar, kështu që kam bërë zgjedhje të ndryshme. Objektivi? Po. Mendoj se mund t’ja dalim me lojtarët që kemi. Kemi të gjithë kartat në dorë për t’ja arritur”, u shpreh Maran. Lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar Portierë: Etrit Berisha, Alen Sherri, Mario Dajsinani dhe Simon Simoni. Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Klisman Cake, Samuele Sina, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj dhe Ivan Balliu. Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Arbër Hoxha, Taulant Seferi, Anis Mehmeti, Ernest Muçi dhe Sabah Kerjota. Sulmues: Rey Manaj, Mirlind Daku, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi. Ora 12:51 Mbeti jashtë listës së Maran te Kombëtarja, shfryn Jasir Asani: Më mirë të mos flas, historia nuk harrohet Jasir Asani ishte një nga befasitë e trajnerit Maran, pasi mëngjarashi nuk ishte pjesë e listës me 29 futbollistë të grumbulluar për 4 ndeshjet e kombëtares në Ligën e Kombeve.Këtë Asani nuk e ka “kapërdirë” dot dhe ka reaguar në rrjetet sociale. Asani ka “ironizuar”, me dy postime të bëra.“Po rri urtë, se e di veten. Historia nuk harrohet kurrë. Më mirë të mos flas më...”, shkruan Jasir Asani në rrjetet sociale. Share SI.E./ReportTv.al Sabah Kerjota Samuele Sina kombetarja shqiptare Armando Broja Nedim Bajrami Rolando Maran Liga e Kombeve Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 6.2% Të gabuar 89% Nuk e di 4.8% Vota total: 4154 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?
