Aktivisti për të drejtat e njeriut, Muharrem Salihu, ka ngritur shqetësime për situatën e shqiptarëve në Medvegjë, pas votimit në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke vënë në pah praninë e forcave ushtarake dhe përfaqësimin e pakët të shqiptarëve në komisionet zgjedhore.Përmes një postimi në Facebook, Salihu ka bërë të ditur se ka votuar në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Tupallë, vendlindjen e tij. Ai ka thënë se ajo që pa gjatë ditës së zgjedhjeve i ka shkaktuar shqetësim për të ardhmen e shqiptarëve në trojet e tyre. Sipas Salihut, në qendër të Medvegjës kishte prani të madhe të forcave ushtarake serbe, ndërsa përfaqësimi i shqiptarëve në komisionet e qendrave të votimit ishte shumë i ulët.Ai ka theksuar se, pavarësisht atmosferës dhe vështirësive, shqiptarët vazhduan të merrnin pjesë në votime për të dëshmuar praninë e tyre dhe për të ushtruar të drejtën për të vendosur për të ardhmen.Salihu ka veçuar si shqetësim kryesor pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Medvegjë, duke pretenduar se përmes këtij procesi shumë qytetarë janë privuar nga mundësia për të votuar.“Nuk mund të flasim për demokraci të plotë kur qytetarëve u mohohet pjesëmarrja përmes fshirjes administrative nga vendbanimet e tyre”, ka shkruar ai.Aktivisti u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe faktorit ndërkombëtar që të kërkojnë nga Beogradi garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallime etnike.Sipas tij, shqiptarët e Medvegjës, si popull autokton në këto troje, duhet të kenë mundësi të jetojnë të lirë dhe të gëzojnë të drejta të barabarta.“Medvegja nuk është thjesht një vend në hartë. Është histori, identitet, kujtesë dhe e drejtë për të jetuar të lirë në vendin tënd”, ka theksuar Salihu.Në fund, ai ka nënvizuar se prania dhe të drejtat e shqiptarëve nuk mund të zhduken përmes vendimeve administrative, duke kërkuar drejtësi, barazi dhe dinjitet për shqiptarët e Medvegjës. /Telegrafi/

