Katër persona kanë mbetur të plagosur në Porto Palermo, pasi një skaf ka marrë flakë teksa ata po punonin për riparimin e motorit të tij.
Të plagosurit janë identifikuar si Mateo Merdanaj, Aleks Doda, Xhemal Ismailaj dhe Ardinant Qaziu. Sipas verifikimeve paraprake të Policisë, ata kanë qenë në kontakt me benzinën kur ajo dyshohet se është ndezur.
Njëri prej të plagosurve raportohet se ka pësuar djegie në rreth 50% të trupit, ndërsa një tjetër ka marrë dëmtime edhe më të rënda. Fillimisht ata janë paraqitur në Qendrën Shëndetësore të Himarës, më pas janë transportuar drejt Vlorës dhe, për shkak të gjendjes së tyre, janë nisur drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Një nga pistat që po hetohet është mundësia që një cigare e ndezur të ketë shkaktuar marrjen flakë të benzinës gjatë punimeve. Ky version mbetet paraprak dhe pritet të sqarohet nga hetimet.
Ndërkohë, JOQ Albania ka siguruar pamje nga momentet pas incidentit, ku disa persona që ndodheshin rastësisht pranë vendngjarjes afrohen për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Në video shihen varkëtarë dhe turistë që angazhohen për t’i ndihmuar të rinjtë në momentet e para pas zjarrit.
Dëshmitarë që ndodheshin në vendngjarje kanë deklaruar për JOQ Albania se ambulanca u vonua, duke ngritur shqetësimin për reagimin e shërbimeve të emergjencës pas incidentit.
Ngjarja është nën hetim nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit dhe nëse janë respektuar rregullat e sigurisë gjatë punimeve.
Incidenti vjen vetëm pak ditë pas një tjetër ngjarjeje tragjike në Porto Palermo, ku një 65-vjeçar humbi jetën pas shpërthimit të një lënde plasëse që dyshohet se po përdorej për peshkim të paligjshëm. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

