Lajme Zone
Moti i keq/ Era këput telat elektrikë, disa fshatra pa drita në veri të vendit! Bie çatia e spitalit në Pukë
EkonomiShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Moti i keq/ Era këput telat elektrikë, disa fshatra pa drita në veri të vendit! Bie çatia e spitalit në Pukë

Në Aeroportin e Rinasit, 5 avionë janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve alternative për shkak të vështirësive në ulje për shkak të motit të keq. Ndërkohë, në Portin e Durrësit reshjet kanë ndërprerë përkohësisht shkarkimin e mallrave.

Stuhia që ka përfshirë vendin, me ere të fortë dhe shi të fortë ka shkaktuar dëme kryesisht në veri të vendit. Në Pukë, era ka rrëzuar në tokë çatinë e korridorit që lidh Urgjencën me godinën e spitalit. Llamarinat kanë dëmtuar edhe një autoambulancë. Sipas spitalit, uji nuk ka depërtuar brenda ambienteve dhe shërbimi vijon normalisht. Situatë problematike paraqitet dhe në Bashkinë Fushë-Arrëz, ku era e fortë ka dëmtuar çatinë e shkollës 9-vjeçare në Iballë, si dhe çatitë e disa banesave (foto). Ndërkohë, disa rrugë rurale janë bllokuar nga rënia e gurëve e dherave. Era ka këputur linjat, duke lënë pa drita shumë fshatra të Fushë-Arrëzit. Ndërprerje të energjisë raportohen edhe në Bashkinë e Vaut te Dejës. LEXO EDHE:Moti i keq, 5 fluturime për në Rinas devijohen drejt aeroporteve të tjera! Nisjet vijojnë normalisht Në qytetin e Shkodrës, erërat e forta kanë rrezuar disa pemë në rrugë, duke krijuar vështirësi në qarkullim. Probleme raportohen edhe në akset rrugore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku ka rënie inertesh. Në Qafë Thore janë regjistruar reshje bore, por rruga vijon të jetë e kalueshme. Edhe në Kukës dhe Tropojë moti i keq ka sjellë probleme. Reshjet e borës kanë nisur në lartësitë mbi 1000 metra, ne malet e Gjallicës dhe Koretnikut. Në zonat më të ulëta ka reshje shiu, ndërsa në rrugët rurale të Surrojit dhe Arrënit raportohen rënie gurësh. Ndërkohë, disa fshatra në Kukës, Tropojë dhe Has janë pa energji elektrike. Probleme me shtyllat elektrike raportohen në disa zona të Lezhës, ku fshatrat Kallmet, Troshan, Blinisht dhe Fishtë kane ndërprerje të energjisë. E njëjta situatë paraqitet edhe në Mirditë, veçanërisht në fshatrat Prosek, Perlat dhe Katund i Vjetër. Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi në një postimi në rrjetet sociale bën të ditur se 52 fidera janë jashtë funksionit, kryesisht në zonat rurale të Matit, Mirditës, Lushnjës dhe Bajram Currit. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 12:40 Shkodër/ Era shkul gjysmën e çatisë së shkollës 9-vjeçare në Iballë Kjo është çatia e shkollës 9-vjeçare në Iballë të Shkodrës që është dëmtuar nga moti i keq.Gjithashtu dëme janë raportuar edhe në disa banesa në Bashkinë Fushë-Arrëz, ku reshjet e dendura dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në çatitë e ndërtesave, si kjo më poshtë e siguruar nga Report Tv. A.C/Shqiptarja.com Share Ora 11:59 KESH jep të dhënat e fundit për Kaskadën e Drinit: Prurjet në Koman 800 m³/s, asnjë shkarkim nga hidrocentralet Prurjet e ujit në hidrocentralin e Komanit janë 800 metra kub në sekondë, ndërsa në Fierzë 250 metra kub në sekondë. Megjithatë, nga asnjëri prej tre hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit nuk po kryhen shkarkime uji.Sipas të dhënave të publikuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), këtë të hënë në orën 11:30, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 261.09 metra mbi nivelin e detit, në Koman 173.28 metra dhe në Vaun e Dejës 74.16 metra.Ndërkohë, prurjet natyrore në hidrocentralin e Vaut të Dejës janë 50 metra kub në sekondë.Sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, të tre hidrocentralet prodhojnë gjithsej 15,100 MWh në ditë.KESH bën të ditur se do të vijojë të informojë publikun dhe autoritetet përgjegjëse për situatën në Kaskadën e Drinit. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 11:52 Pukë/ Reshjet e shiut dëmtuan spitalin, Operatori i Shërbimeve: Institucioni ka marrë masat e nevojshme për riparimin e dëmeve Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka dhënë informacion mbi situatën në Spitalin e Pukës, pas dëmtimeve të reja të shkaktuara nga stuhia e mbrëmshme në çatinë e urës lidhëse mes Urgjencës dhe godinës së spitalit.Pavarësisht ndërhyrjes së kryer gjatë ditës së djeshme për zëvendësimin e çatisë, reshjet intensive gjatë natës kanë sjellë dëmtime të tjera në këtë strukturë.Sipas njoftimit, institucioni po ndjek nga afër situatën dhe ka marrë masat e nevojshme për riparimin e dëmeve.Ndërkohë, Spitali Bashkiak i Pukës vijon punën normalisht, me të gjitha shërbimet shëndetësore që ofrohen pa ndërprerje. A.C/Shqiptarja.com Share Ora 10:59 Moti i keq shakton dëme në spitalin e Pukës, llamarina bie mbi autoambulancën! (VIDEO) Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëmtime në ambientet e Spitalit të Pukës, ku si pasojë e motit të keq ka rënë një pjesë e mbulesës prej llamarine të korridorit lidhës që bashkon Urgjencën dhe Poliklinikën me godinën e spitalit.Nga rënia e llamarinave është dëmtuar edhe një prej autoambulancave të shërbimit spitalor, e cila ndodhej e parkuar.Fatmirësisht, uji nuk ka depërtuar brenda korridorit lidhës, pasi struktura është e pajisur edhe me soletë mbrojtëse.Problematika është përsëritur, pasi vetëm pak ditë më parë kjo pjesë e mbulesës kishte pësuar dëmtime të pjesshme, për riparimin e të cilave kishte ndërhyrë kompania e sigurimit. A.C/Shqiptarja.com Share Ora 10:47 Hidrocentrali i Fierzës pa prodhim energjie, asnjë agregat në punë! Niveli i liqenit arrin në 261.02 metra (VIDEO) Reshjet e shiut që kanë vijuar prej disa ditësh në verilindje të vendit nuk kanë sjellë ende ndryshim të ndjeshëm në prurjet e kaskadës së lumit Drin, ndërsa në hidrocentralin e Fierzës situata paraqitet e qëndrueshme.Rezerva hidrike në liqen po ruhet, teksa aktualisht nuk ka prodhim energjie dhe as shkarkime. Pamjet e siguruara nga Report Tv, tregojnë se turbinat në digën e hidrocentralit të Fierzës janë jashtë funksionit. Prurjet në ujëmbledhësin më të madh të kaskadës së Drinit janë rreth 250 metra kub në sekondë, një nivel që duket se nuk po shfrytëzohet për prodhim energjie, në një situatë ku po synohet ruajtja e rezervës ujore.Sipas të dhënave të HEC-it Fierzë, fuqia aktive e prodhimit është zero dhe asnjë agregat nuk është në punë. Sipas burimeve nga hidrocentrali, njëri prej agregateve ndodhet në remont, ndërsa aktualisht nuk raportohet prodhim energjie nga hidrocentrali.Në këto kushte, niveli i liqenit të Fierzës ka arritur në 261.02 metra mbi nivelin e detit. Një javë më parë, niveli ishte 255.69 metra, duke shënuar një rritje prej rreth 5.3 metrash në këtë periudhë.Pavarësisht reshjeve të ditëve të fundit në zonat e verilindjes, rezervat ujore në Fierzë mbeten një element i rëndësishëm për administrimin e energjisë në kaskadën e Drinit, veçanërisht në prag të sezonit dimëror, kur kërkesa për energji pritet të rritet.Niveli: 261.02 m Fuqia aktive: 0 MWAgregat ne punë: 0Prurjet mesatare: 250 m³/sek. A.C/Shqiptarja.com Share Ora 10:31 Qafë Thore, vijojnë ndërhyrjet për mirëmbajtjen e rrugës, borëpastruesja në terren (VIDEO) Në aksin rrugor në Qafë Thore është ndërhyrë për pastrimin e borës dhe përmirësimin e kushteve të qarkullimit. Në zonë raportohet prani e një sasie të vogël dëbore në rrugë, ndërsa mjetet borëpastruese po punojnë për largimin e saj për garantimin e lëvizjes sa më të sigurt për drejtuesit e automjeteve. A.C/Shqiptarja.com Share Ora 10:09 Pogradec/ Era e fortë lë pa drita banorët në disa fshatra, OSHEE punon për rikthimin e furnizimit me energji elektrike (VIDEO) Të paktën katër fshatra të njësisë administrative Trebinjë, në Pogradec, kanë mbetur pa energji elektrike pas reshjeve të shiut dhe erës së fortë gjatë natës. Ndërprerja ka prekur Çezmën e Madhe, Çezmën e Vogël, Hondishtin dhe Llëngën.Probleme me furnizimin ka edhe në njësinë administrative Velçan, ku era e fortë ka dëmtuar përcjellësit e rrjetit elektrik. Mes fshatrave pa energji janë Bishnica, Jolla, Velçani, Buzaishta dhe Shpella.OSHEE bën me dije se disa ekipe ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e dëmtimeve dhe rikthimin e furnizimit me energji.Zona mbeti pa energji edhe rreth një javë më parë për më tepër se 48 orë, për shkak të kushteve të motit. A.C/Shqiptarja.com Share Ora 09:57 Moti i keq përfshin qarkun e Kukësit, disa zona pa energji elektrike! Vijon puna për pastrimin e gurëve, pa probleme në qarkullim (VIDEO) Moti i keq me reshje shiu ka përfshirë Qarkun e Kukësit, duke shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në disa zona të bashkive Kukës, Has dhe Tropojë. Sipas raportimit të situatës deri në orën 08:50 të mëngjesit të kësaj të hëne, në territorin e qarkut nuk raportohen reshje, ndërsa gjatë natës ato janë shoqëruar me erë të fortë.Si pasojë e reshjeve të regjistruara gjatë orëve të fundit, rrugët nacionale dhe ato bashkiake vijojnë të jenë të ekspozuara ndaj rënies së gurëve, inerteve dhe vërshimit të ujërave. Megjithatë, të gjitha akset rrugore nacionale janë aktualisht të kalueshme, ndërsa subjektet kontraktore vijojnë punën për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të tyre.Problematika kryesore mbetet furnizimi me energji elektrike, pasi disa zona të qarkut vijojnë të jenë pa energji.Në bashkinë Kukës, ndërprerje janë raportuar në zonën industriale të qytetit, si dhe në njësitë administrative Malzi, Tërthore, Kolsh, Surroj, Topojan, Shishtavec dhe Zapod.Në bashkinë Tropojë, pa energji elektrike janë Njësia Administrative Margegaj, qyteti i Fierzës dhe lagjja Geg Hysen në qytetin e Bajram Currit.Ndërsa në bashkinë Has, ndërprerje janë raportuar në Njësinë Administrative Fajza, në fshatrat Kishaj dhe Pogaj të Njësisë Administrative Gjinaj, si dhe në spitalin dhe ujësjellësin e qytetit të Krumës. Ndërkohë nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk ka raportime për problematika të tjera.Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, ai vijon të realizohet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës. A.C/Shqiptarja.com Share Ora 09:43 Lezhë/ Reshjet e shiut dhe era lënë pa energji elektrike disa zona të qytetit dhe fshatra, grupet e OSHEE-së në terren për riparimin e defekteve (VIDEO) Reshjet e shiut të shoqëruara me erë të fortë kanë përfshirë rajonin e Lezhës që prej pasdites së së dielës, duke shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në disa zona të qytetit dhe në njësitë përreth.Si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, ndërprerje të energjisë elektrike janë regjistruar në një pjesë të qendrës së Lezhës, si dhe në disa fshatra të rajonit.Ndërkohë, grupet e punës të OSHEE-së janë angazhuar në terren për të evidentuar defektet e shkaktuara nga reshjet dhe era, si dhe për të vlerësuar problematikat në rrjetin elektrik.Punonjësit po punojnë për identifikimin e pikave problematike dhe kryerjen e ndërhyrjeve të nevojshme me qëllim rikthimin e furnizimit me energji elektrike për abonentët e prekur. A.C/Shqiptarja.com Share P.J / SI.E. P.J Shqiptarja.com TAG: moti i keq Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

21 Nëntor, 17:11

Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve? Dialogu 71.2% Protesta 22.7% Asnjëra 6% Vota total: 2278 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 21 Nëntor, 17:11 Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve?