Lajme Zone
Të tjeraEuronews Albania

Mot i qëndrueshëm dhe temperatura të ulëta, ja si parashikohet të mbyllet muaji tetor


Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Euronews, meteorologu i MetAlb, Hakil Osmani, bëri parashikimin e motit për javën e fundit të muajit tetor. Sipas tij, kjo javë do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm, ndërsa do të kemi ulje të ndjeshme të temperaturave.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Euronews, meteorologu i MetAlb, Hakil Osmani, bëri parashikimin e motit për javën e fundit të muajit tetor. Sipas tij, kjo javë do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm, ndërsa do të kemi ulje të ndjeshme të temperaturave. Osmani theksoi se dita e mërkurë do të jetë dita më e ftohtë e javës, ndërsa në fund të javës temperaturat do të pësojnë një rritje graduale. “Për sa i përket territoreve shqiptare, kjo javë kryesisht parashikohet të jetë në mbizotërimin e motit të qëndrueshëm. Edhe pse dita e sotme ka nisur në mbizotërimin e vranësirave të shpeshta, më të fokusuara janë kryesisht në zonat lindore, duke bërë që të kenë momente të pakta me pika e shiu. Gradualisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites kemi përmirësim të dukshëm të kushteve të motit, duke bërë që të kemi intervale të gjata me diell në vijën bregdetare dhe kalime të lehta të vranësirave. Edhe përgjatë ditës së martë do të vijojnë vranësirat të jenë prezente në vendin tonë, ku më të fokusuara gjatë orëve të pasdites pritet të jenë në verilindje të territorit, duke bërë që herë pas here të krijojmë mundësira për momente me reshje të pakta shiu. Për sa i përket ditës së mërkurë, ditës së enjte dhe një pjesë e mirë e ditës së premte, parashikohet që i gjithë territori shqiptar të jetë në mbizotërimin e motit të qëndrueshëm. Kjo do të thotë që do të ketë intervale të gjata me diell, kalime të lehta të vranësirave ku më të fokusuara do të jenë në zonat malore, por nuk do të krijohen mundësira për reshje. Për sa i përket fundjavës, pritet që kryesisht vranësirat të bëhen herë pas here të shpeshta gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, të fokusuara kryesisht në zonat juglindore dhe pjesërisht në zonat jugore, duke bërë që herë pas here të krijojnë edhe mundësira për reshje të karakterit lokal. Pjesa tjetër e territorit mbetet kryesisht në mbizotërimin e motit të qëndrueshëm edhe përgjatë fundjavës. Për sa i përket temperaturave të ajrit, pritet që të kemi një rënie graduale nga sot e të paktën deri ditën e mërkurë, ku në mesditën e sotme maksimumet pritet të regjistrohen rreth vlerës së 23°C. Gradualisht kemi rënie të tyre ditën e martë dhe ditën e mërkurë, duke bërë që maksimumet në rang territori të zbresin në vlerën 20°C. Ndërsa duke filluar nga dita e enjte dhe përgjatë fundjavës pritet të kemi rritje graduale të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet në rang territori të afrohen pranë vlerave 25 apo ndonjë zonë e izoluar e qarkut të Fierit e Vlorës rreth 26°C. Deri ditën e mërkurë do të kemi rënie të ndjeshme të tyre, duke bërë që dita e mërkurë të jetë dita më e ftohtë e kësaj jave, pasi minimumet në qytetet e zonave malore zbresin në 1 gradë Celsius, ndërsa në ultësirën perëndimore pritet të jenë nga 5 dhe jo më shumë se 7 gradë”, u shpreh Osmani.