Mario Mitaj është gati të luajë në futbollin italian. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare do të largohet nga Al Ittihad dhe do të transferohet te Genoa, me marrëveshjen mes palëve që tashmë është arritur. Klubi italian ka fituar garën ndaj disa ekipeve portugeze, të cilat gjithashtu kishin shfaqur interes konkret për shërbimet e 22-vjeçarit.
Për Mitajn bëhet fjalë për një rikthim në një nga kampionatet më të forta të Europës, pasi pas eksperiencave me AEK Athinën, Lokomotiv Moskën dhe Al Ittihad, tashmë do të provojë veten në Serie A. Genoa e sheh mbrojtësin kuqezi si një përforcim të rëndësishëm për krahun e majtë të mbrojtjes, falë shpejtësisë, aftësive në fazën mbrojtëse dhe kontributit në ndërtimin e lojës.
Mitaj ishte pjesë e Al Ittihad në sezonet e fundit, ku fitoi titullin kampion dhe Kupën e Mbretit në Arabinë Saudite, ndërsa me fanellën e Kombëtares shqiptare është kthyer në një titullar të padiskutueshëm. I lindur në Athinë më 6 gusht 2003, ai debutoi me Shqipërinë në moshën vetëm 17-vjeçare dhe deri tani numëron mbi 30 ndeshje me kuqezinjtë, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të brezit të ri.
Zyrtarizimi i transferimit pritet të vijë në orët ose ditët në vijim, ndërsa Genoa siguron një nga mbrojtësit shqiptarë më premtues të momentit, duke fituar konkurrencën e fortë nga klubet portugeze. Top Channel

