Lajme Zone
“Misioni pa fund” i USS Abraham Lincoln, brenda aeroplanmbajtëses ku marinsat përballen me lodhje dhe tension të madh
BotëTop Channel

“Misioni pa fund” i USS Abraham Lincoln, brenda aeroplanmbajtëses ku marinsat përballen me lodhje dhe tension të madh

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln po zhvillon një nga misionet më të gjata në historinë e marinës amerikane, ndërsa qëndrimi i zgjatur larg bazës po shkakton shqetësime për gjendjen fizike dhe psikologjike të ekuipazhit.

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln po zhvillon një nga misionet më të gjata në historinë e marinës amerikane, ndërsa qëndrimi i zgjatur larg bazës po shkakton shqetësime për gjendjen fizike dhe psikologjike të ekuipazhit. Anija ka kaluar më shumë se gjashtë muaj larg portit dhe mund të thyejë rekordin për misionin më të gjatë të një aeroplanmbajtëseje amerikane që nga Lufta e Vietnamit. Rekordi aktual u vendos vetëm pak muaj më parë nga USS Gerald R. Ford, e cila përfi një dislokim prej 326 ditësh, ku mori pjesë në operacione ushtarake kundër Iranit dhe Venezuelës.

Situata e Lincoln është pjesë e një tendence më të gjerë të marinës amerikane, e cila po kërkon gjithnjë e më shpesh që grupet e saj të aeroplanmbajtëseve të qëndrojnë në det përtej periudhës së rekomanduar prej shtatë muajsh.

Ekspertët dhe ish-zyrtarë të marinës paralajmërojnë se misionet e zgjatura mund të shtojnë stresin mbi anijet dhe ekuipazhet, duke shkaktuar lodhje, probleme të shëndetit mendor dhe madje duke nxitur disa ushtarakë të largohen nga marina. Një pjesëtar i ekuipazhit të USS Abraham Lincoln i tha CNN se morali në bord është shumë i ulët dhe se ka dëgjuar vazhdimisht për raste kur pjesëtarë të ekuipazhit kanë shfaqur mendime vetëvrasëse.

Sipas tij, edhe shërbimet bazë në anije kanë pasur probleme. Tualetet dhe burimet e ujit shpesh janë jashtë funksionit, ndërsa uji i ngrohtë nuk është gjithmonë i disponueshëm.

“Çdo ditë zgjohemi dhe dëgjojmë kapitenin të flasë, ndërsa presim me ankth dhe dëshpërim çdo informacion për kthimin tonë”, tha ushtaraku për CNN.

Pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit kanë përshkruar kushte shumë më të vështira se në misionet e mëparshme, kryesisht për shkak të luftimeve që kanë penguar aeroplanmbajtësen të ndalojë në porte aleate. Gjatë ndalesave të tilla, anijet furnizohen me materiale të reja dhe ushtarët kanë mundësi të pushojnë. Detarët dhe familjarët e tyre kanë raportuar mungesa periodike ushqimesh, furnizime të kufizuara me produkte higjienike dhe probleme me sistemin e ujit.

Një tjetër pjesëtar i ekuipazhit tha se më parë dyqani në bord kishte vazhdimisht produkte higjienike në dispozicion, ndërsa tani ka kufizime në blerje dhe shumë prej këtyre produkteve mungojnë.

Ekspertja e mbrojtjes Kate Kuzminski, nga Center for a Neë American Security, tha se marina amerikane duhet të përshtatë modelin e dislokimeve me realitetin aktual, në mënyrë që ushtarët dhe familjet e tyre të kenë pritshmëri më të qarta.

Sipas saj, misionet e gjata mund të ndikojnë edhe në vendimin e ushtarakëve apo familjeve të tyre për të qëndruar në marinë.

CNN ka raportuar më herët se dy detarë të caktuar në grupin luftarak të Lincoln kanë rënë në det gjatë muajve të fundit. Të dy u shpëtuan të gjallë, ndërsa sipas raportimeve të tjera, pjesëtarë të tjerë janë ndaluar para se të hidhen nga anija. Megjithatë, marina amerikane mohon se ka pasur rritje të rasteve të mendimeve apo përpjekjeve për vetëvrasje në bordin e anijes. Në një deklaratë për CNN, marina tha se mirëqenia e çdo pjesëtari të forcave të armatosura merret shumë seriozisht dhe se në dispozicion janë profesionistë mjekësorë dhe të shëndetit mendor.

Një zyrtar amerikan shtoi se marina nuk beson se ekziston një lidhje mes kohëzgjatjes së misionit dhe mendimeve për vetëlëndim.

Presidenti amerikan Donald Trump iu përgjigj të premten një pyetjeje për kohëzgjatjen e misionit të Lincoln, duke thënë se dislokimi “nuk ka qenë aspak mjaftueshëm i gjatë”.

Deklarata shkaktoi reagim nga familjarët e ushtarakëve. Bashkëshortja e një pjesëtari të ekuipazhit, e cila kërkoi anonimitet, kritikoi komentet e presidentit dhe kërkoi më shumë empati nga Trump dhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth. Sipas të dhënave të analizuara nga CNN, kohëzgjatja mesatare e dislokimeve të aeroplanmbajtëseve amerikane është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2020.

Marina amerikane synon normalisht një cikël trevjeçar për ekuipazhet, i cili përfshin rreth shtatë muaj ose 210 ditë dislokim. Megjithatë, që nga sulmet e Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023 dhe përshkallëzimi i konflikteve në Lindjen e Mesme, marina ka hasur gjithnjë e më shpesh në misione që tejkalojnë këtë afat.

USS Gerald R. Ford dhe USS Dëight D. Eisenhoëer patën dislokime të zgjatura pas nisjes së luftës Izrael-Hamas. Ford u kthye në janar 2024 pas 260 ditësh larg bazës, ndërsa Eisenhoëer përfi misionin e saj pas 274 ditësh.

Në vitin 2024, tre dislokime të ndryshme të aeroplanmbajtëseve zgjatën më shumë se 250 ditë. Në vitin 2025 situata u përkeqësua edhe më tej, me dy misione që kaluan 270 ditë, përfshirë rekordin prej 326 ditësh të USS Gerald R. Ford.

Ndërkohë, USS Abraham Lincoln është ende në det dhe mund ta thyejë këtë rekord përpara se të kthehet në Kaliforni. Anija u largua nga San Diego më 21 nëntor dhe pjesa më e madhe e ekuipazhit ka prekur tokën për herë të fundit më 11 dhjetor, gjatë një ndalese në Guam.

Ekspertët paralajmërojnë se misionet e gjata nuk ndikojnë vetëm te njerëzit, por edhe te vetë anijet. Komponentët konsumohen, ndërsa riparimet në det shpesh janë vetëm zgjidhje të përkohshme. Kabllot që përdoren për ndalimin e avionëve mund të konsumohen, ndërsa uji i kripur mund të depërtojë në sistemet e anijes.

Me kalimin e kohës, këto probleme mund të shtohen dhe të rrisin rrezikun e incidenteve. Familjarët e ekuipazhit të Lincoln kanë raportuar gjithashtu probleme me paketat që dërgohen nga shtëpia. Disa prej tyre mbërrijnë me muaj vonesë ose nuk mbërrijnë fare. Një familjare tha se bashkëshorti i saj e ka përshkruar këtë si misionin më të vështirë që ka përjetuar ndonjëherë. Sipas saj, ai është bërë më nervoz dhe më i irrituar, diçka që nuk ishte karakteristikë e tij më parë.

Pavarësisht vështirësive, grupi luftarak i Lincoln ka kryer rreth 10 mijë fluturime ushtarake, duke mbështetur sulmet amerikane ndaj Iranit dhe zbatimin e bllokadës ndaj vendit.

Por edhe drejtuesit e marinës kanë filluar të vënë në pikëpyetje modelin aktual të dislokimeve. John Perryman, ushtaraku më i lartë i marinës amerikane, e ka cilësuar sistemin aktual si një “linjë prodhimi” të bazuar në një mentalitet të kohës së paqes. Sipas tij, marina duhet të krijojë një model të ri për përgatitjen dhe përdorimin e forcave.

Një tjetër problem është numri i kufizuar i aeroplanmbajtëseve amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë vetëm 11 të tilla dhe disa prej tyre po plaken, ndërsa zëvendësimi i tyre me aeroplanmbajtëset e klasës Ford po përballet me vonesa.

USS John F. Kennedy, për shembull, ka nisur provat përfundimtare në det dhe pritet t’i dorëzohet marinës në mars 2027, pothuajse dy vite më vonë se parashikimi fillestar. Ndryshimet e fundit të urdhëruara nga administrata Trump për aeroplanmbajtësen e ardhshme USS Doris Miller mund të shkaktojnë vonesa të tjera. Presidenti ka kërkuar që anijet e ardhshme të përdorin katapulta me avull në vend të sistemit elektromagnetik të përdorur nga aeroplanmbajtëset më të reja të klasës Ford.

Kjo do të kërkojë ridizenjimin e anijes dhe mund të kushtojë miliarda dollarë, ndërsa hyrja e saj në shërbim mund të shtyhet deri në fund të viteve 2030.

Nëse këto vonesa vazhdojnë, marina amerikane mund të detyrohet të zgjasë edhe më tej misionet e aeroplanmbajtëseve ekzistuese ose të mbajë në shërbim anijet e vjetra të klasës Nimitz përtej jetëgjatësisë së tyre të planifikuar.

Për USS Abraham Lincoln, kjo do të thotë se rekordi i vendosur nga USS Gerald R. Ford prej 326 ditësh në det mund të jetë shumë pranë thyerjes, ndërsa shqetësimi kryesor mbetet se sa gjatë mund të përballojë një ekuipazh i lodhur një mision të tillë. Top Channel