Geni, një 30-vjeçar nga Mirdita, i cili pas 10 vitesh emigrim në Angli është kthyer në Shqipëri, ka ndarë me JOQ Albania vështirësitë që ka hasur në kërkim të një partnereje për martesë. I zhgënjyer nga dy përvojat me lushnjaren dhe dibranen, i riu kërkon mendimin e ndjekësve se si duhet të veprojë më tej, duke e mbyllur se ka frikë se do të mbetet beqar pa i çuar nuse nënës në shtëpi. Halli i Genit:
Përshëndetje JOQ! Jam Geni, një djalë emigrant. Pas 10 vitesh në Angli u ktheva në vendlindje, në Mirditë. Jam 30 vjeç. Më në fund u bëra mbarë të gjeja një nuse shqiptare, pa ndasi krahinore. Në qershor njoha në një pub në Tiranë një vajzë nga Lushnja. Pas flirtit nisëm të takoheshim dhe pyetjet e para ishin: Çfarë makine ke? Sa lekë ke kursyer? A do të jetosh me prindërit apo do të jetosh në Tiranë? Direkt donte martesë, pa u njohur mirë dhe pa shkëmbyer disa takime. Më preu gjunjët dhe e ndërpreva njohjen. Në gusht, në Velipojë, u njoha me një dibrane. E vëmendshme për pastërtinë, me shkollë, por edhe ajo më vuri kushte. Kërkonte që unë të kthehesha në Shqipëri, të jetoja në Tiranë, të hapja një biznes ose të punoja në ndërtim dhe të mos kisha rrjete sociale, pra t’i mbyllja. Për prindërit më tha se nuk e kishte problem, por donte që shtëpia jonë të kishte dhoma për ne, fëmijët dhe prindërit e mi, që të mos e bezdisnin as atë dhe as fëmijët. Kjo dibranja nisi të më kërkonte edhe llogari se ku i kisha çuar paratë e emigrimit. Më mërziti shumë edhe kjo vajzë, edhe pse ishte zemërmirë. Si ka mundësi, JOQ, të gjitha vajzat shqiptare qenkan bërë një prerje? O shok, ngela beqar! Publikojeni si hall, kërkoj mendim se çfarë të bëj, se ngela pa i çuar nuse mamit në shtëpi.

