Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e parë në kuadër të Paketës së Maleve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë bëri të ditur se përfituesi i parë është familja Hasani nga Thethi, e cila synon të investojë kursimet e saj në vendlindje, duke ringritur pronën e trashëguar dhe zhvilluar aktivitet në fushën e agroturizmit dhe bujqësisë.
“Sot kaloi, u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të territorit leja e parë e Paketës së Maleve, për familjen Hasani nga Thethi, e cila ka vendosur të investojë kursimet e veta në tokën e të parëve në vendlindje dhe të kthehet në Shqipëri.
Kjo është Paketa e Maleve, paketa e trashëgimtarëve që tanimë me ligj e jo veç me zakon, mund të rilindin shtëpitë e vjetra të stërgjyshërve apo jetëzojnë me agroturizëm, prodhim bujqësor a blegtoral si edhe agropërpunim, tokat e të parëve të tyre”, shkruan Rama. Top Channel

