Ministri i Mbrojtjes , Ermal Nufi ka mikpritur në një takim Atasheun e ri Ushtarak të Republikës së Turqisë në Tiranë, Kolonel Murat İlhan, gjatë të cilit u ri-konfirmua rëndësia e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe angazhimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Gjatë takimit ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Bariş Ceyhun Erciyes, Ministri Nufi shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të Turqisë në modernizimin e Forcave tona të Armatosura. Ndër të tjera, ai nënvizoi se: “Arsimimi dhe stërvitja ushtarake mbeten shtylla të rëndësishme të bashkëpunimit tonë, të ndërtuar ndër vite përmes formimit të kadetëve, oficerëve dhe nënoficerëve shqiptarë në institucionet ushtarake turke.” Palët vlerësuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, përmes investimeve, sipërmarrjeve të përbashkëta, bashkëprodhimit dhe transferimit të teknologjisë, me synim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, avancimin e modernizimit dhe kontributin e mëtejshëm në sigurinë rajonale.
