Milani duket se ka ndryshuar qëndrim për të ardhmen e Rafael Leaos, duke ulur ndjeshëm çmimin e kërkuar për sulmuesin portugez. Sipas raportimeve nga Italia, kuqezinjtë, për shkak të vështirësive për të gjetur një blerës për numrin 10, janë gati të zbresin kërkesën nga rreth 60 milionë euro në 40-45 milionë euro, shifër që mund të përfshijë edhe bonuset.
Ky ndryshim mund të rikthejë në garë Galatasarayn, i cili deri tani është konsideruar si një nga klubet më të interesuara për Leaon. Megjithatë, klubi turk së fundmi ka orientuar vëmendjen drejt Gabriel Martinellit të Arsenalit.
Rreth dhjetë ditë më parë, Milani refuzoi ofertën e parë zyrtare të Galatasarayt për Leaon, e cila ishte 30 milionë euro plus 5 milionë euro bonuse.
Në atë moment, propozimi u konsiderua shumë i ulët nga kuqezinjtë, por me uljen e re të çmimit, një ofertë e ngjashme mund të afrohet me kërkesat aktuale të klubit italian.
Nuk përjashtohet as mundësia e një marrëveshjeje në formën e huazimit me detyrim blerjeje.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet vetë lojtari. Pavarësisht ofertës së rëndësishme financiare nga Galatasaray, që raportohet të jetë rreth 10 milionë euro në sezon, Leao ende nuk ka dhënë një sinjal konkret për transferimin në Turqi.
Sulmuesi portugez, ndërkohë, ka lënë të kuptohet se është i fokusuar te futbolli. “Mendimi im i vetëm është në fushë”, shkroi ai pak ditë më parë në rrjetet sociale.
Në krahun tjetër, Leao nuk do të jetë në dispozicion të Milanit për miqësoren e radhës ndaj Manchester United, për shkak të një tendosjeje muskulore.
Nëse Milani konfirmon kërkesën prej 40-45 milionë eurosh, situata e Leaos mund të marrë një tjetër drejtim në ditët e ardhshme. Top Channel

