Revolucioni i thellë veror i drejtuar nga pronari Gerry Cardinale, po jep më në fund frytet e shumëpritura, duke bërë që skuadra e Milanit të fluturojë lart nën urdhrat e trajnerit Ruben Amorim. Kuqezinjtë kanë ndryshuar tërësisht fytyrë, të mbështetur nga një merkato e fuqishme ku u shpenzuan mbi 160 milionë euro.
Të dhënat janë vërtet mbresëlënëse dhe tregojnë qartë peshën e afrimeve të reja. Katërshja e përbërë nga Alphadjo Cisse, Goncalo Ramos, Diego Moreira dhe Mario Gila, ka shënuar plot 66% të golave të skuadrës në këtë fillim sezoni. Për ta thënë më thjesht, 2 nga 3 gola të realizuar nga Milani mbajnë pikërisht firmën e tyre.
Megjithatë, jo gjithçka e mirë vjen nga e tashmja. Ndonëse talenti Sise numëron 5 gola në të gjitha kompeticionet, golashënuesi më i mirë në Serinë A mbetet Adrien Rabiot me 4 gola në 7 ndeshje. Këtu del në pah trashëgimia e lënë nga ish-drejtori sportiv, Igli Tare. Ishte shqiptari ai që solli francezin Rabiot, si dhe nuhati talentin e Sise, duke e blerë në muajin janar nga Hellas Verona për 8 milionë euro.
Kujtojmë se Tare dhe ish-trajneri Masimiliano Allegri u larguan nga klubi pas asaj humbjeje fatale 2-1 kundër Cagliarit në javën e fundit, e cila u kushtoi kualifikimin në Ligën e Kampioneve. Pas atij dështimi, vetë Cardinale zbriti në fushë për të ndërtuar ekipin e së ardhmes, duke shpenzuar mbi 154 milionë euro vetëm për treshen Ramos, Moreira dhe Gila.
Blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit, portugezi Goncalo Ramos, pati një nisje të ngadaltë ku më shumë vraponte sesa gjuante në portë. Por 3 golat e shënuar me kombëtaren duket se e kanë ringjallur ish-sulmuesin e PSG, i cili tashmë ka nisur të lërë shenjë me gola si në Evropë ashtu edhe në kampionat.
Një impakt të jashtëzakonshëm ka pasur edhe Diego Moreira, i cili pavarësisht një debutimi për t'u harruar përballë Juventusit, ka reaguar duke shënuar 3 gola dhe duke treguar klas të lartë. Por sekreti i vërtetë i ekuilibrit mbetet mbrojtësi Mario Gila. Ish-lojtari i Lazios po dhuron paraqitje fantastike, duke u shndërruar në një lider absolut në prapavijë. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

