Lajme Zone
Mësymje e re në Ceuta, Maroku ndërhyn për të bllokuar valën e njerëzve që shkojnë në enklavën spanjolle
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Mësymje e re në Ceuta, Maroku ndërhyn për të bllokuar valën e njerëzve që shkojnë në enklavën spanjolle

Autoritetet marokene njoftuan se kanë bllokuar një përpjekje të re të qindra emigrantëve, kryesisht nga Afrika subsahariane, për të kaluar në mënyrë të parregullt drejt Ceutës.

Autoritetet marokene njoftuan se kanë bllokuar një përpjekje të re të qindra emigrantëve, kryesisht nga Afrika subsahariane, për të kaluar në mënyrë të parregullt drejt Ceutës. Sipas agjencisë së lajmeve EFE, grupi ishte fshehur në një zonë malore pranë qytetit Fnideq, në jugperëndim të enklavës spanjolle, ndërsa përpjekjet për t’iu afruar kufirit nisën rreth orës 06 të mëngjesit.

Zyrtarët marokenë thanë se kanë shtuar kontrollet në rrugët kryesore drejt Fnidequt, ndërsa edhe Spanja ka përforcuar ndjeshëm sigurinë në kufirin e Ceutës, ku situata për momentin raportohet e qetë.

Masat e sigurisë ndërkohë, janë shtuar edhe në Melilla, enklava tjetër spanjolle në veri të Afrikës, për shkak të shqetësimeve se presioni migrator mund të zhvendoset atje. Autoritetet kanë evidentuar lëvizje të një numri të madh migrantësh drejt zonës së Beni Enzarit.

Deri tani, qeveria dhe mediat spanjolle nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht tentativën e raportuar nga pala marokene. Pak ditë më parë, policia dhe ekspertët mjeko-ligjorë në Ceuta njoftuan se kishin angazhuar staf shtesë për identifikimin e trupave të 80 migrantëve, të gjetur pas vërshimit masiv në fund të korrikut.

Autoritetet bëjnë të ditur se shumica e viktimave pritet të varrosen në Ceuta gjatë ditëve në vijim. Deri tani janë identifikuar vetëm katër trupa, përmes gjurmëve të gishtërinjve të krahasuara me bazat e të dhënave spanjolle ose përmes analizave të ADN-së. Top Channel