Për më shumë se dy dekada, Lionel Messi ka qenë në qendër të historisë së futbollit argjentinas. Një histori që nuk nisi aspak lehtë. Për vite me radhë, ylli që shkëlqente me Barcelonën u përball me kritika të forta në Argjentinë, pasi me kombëtaren nuk po arrinte të fitonte trofetë e mëdhenj.
Në vitin 2014, Messi dhe Argjentina shkuan deri në finalen e Kupës së Botës, por u mposhtën nga Gjermania. Dy vite më pas erdhi një tjetër zhgënjim, pasi Argjentina humbi finalen e Kupës së Amerikës ndaj Kilit. Pas kësaj humbjeje, në moshën 29-vjeçare, Messi njoftoi tërheqjen nga kombëtarja.
“Për mua, kombëtarja ka mbaruar. Kam bërë gjithçka që mundesha”, tha ai atëherë.
Por largimi zgjati vetëm disa javë. Messi ndryshoi mendje dhe u rikthye për të provuar edhe një herë. Dhe vendimi do të ndryshonte përgjithmonë historinë e tij me Argjentinën.
Në vitin 2021, ai fitoi trofeun e parë madhor me kombëtaren, Kupën e Amerikës. Një vit më vonë erdhi momenti që kishte ëndërruar gjithë jetën: Messi ngriti Kupën e Botës në Katar, duke udhëhequr Argjentinën drejt titullit pas 36 vitesh pritje. Lojtari që dikur kritikohej se nuk mund t’i sillte sukses vendit të tij, tashmë ishte kthyer në heroin e një kombi të tërë.
Pas finales së Botërorit 2026, Messi ka vendosur t’i japë fund aventurës me Argjentinën. Këtë herë nuk ka më zemërim apo zhgënjim, por një ndjesi përmbushjeje.
Nga një 13-vjeçar që la Rosario-n për të provuar fatin te Barcelona, te kapiteni që ngriti Kupën e Botës me Argjentinën.
Një histori me lot, kritika, rikthim, triumf dhe në fund… një lamtumirë me kokën lart.
