Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz bëri një vizitë të papritur në Kiev, në Ukrainë. I shoqëruar nga një delegacion ekonomik ai shpalli atje ndihma konkrete ushtarake dhe energjetike për Ukrainën. Jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW. Auron, përshëndetje. Para se të hyjmë në detaje: agjencia dpa shkroi se kurrë më parë nuk ka qenë kaq e rrezikshme vizita e një kancelari në Kiev. Si duhet kuptuar? A.Dodi: Gjatë vizitës së kancelarit Merz, Kievi u godit me dronë e raketa ruse. Sipas gazetës gjermane Die Welt, u godit një urë pesë kilometra larg ambasadës gjermane, ku kancelari ndodhej në siguri. Vetëm në orët e para të vizitës pati pesë alarme. Vetëm pak para nisjes së delegacionit gjerman, Ministria e Jashtme ruse i kishte paralajmëruar të huajt dhe diplomatët të mos udhëtonin në Kiev, sidomos jo pranë godinave qeveritare. Por Merzi i njoftoi partnerët evropianë për vizitën e afërt dhe u nis. Në Kiev ai tha se „ne nuk trembemi nga një sulm me dronë, i cili ndodhi pikërisht në momentin e vizitës sonë.” Pas takimit, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se “ata sulmuan këtë mëngjes, edhe pse kancelari ndodhet këtu. Dhe miqtë tanë gjermanë erdhën pikërisht këtu. Ky është një mesazh madhështor dhe i guximshëm, nga ju dhe i gjithë kombi juaj.” Sipas vëzhguesve, Kievi nuk ishte goditur kurrë më parë kur atje ndodhej për vizitë, një kryetar qeverie i një shteti të rëndësishëm perëndimor.
Një vizitë edhe në këto kushte flet vendosmërinë e Gjermanisë për ta vazhduar ndihmën për Ukrainën, apo jo?
Po. Është hera e dytë që Merz-i viziton Ukrainën – të cilën, në katër vitet e luftës kancelarët gjermanë e kanë vizituar katër herë. Kemi një pozicionim të qartë politik të qeverive gjermane në mbështetje të Ukrainës.
Që në krye, por veçanërisht nga pakësimi i ndihmës së SHBA për Ukrainën, Gjermania mbetet me shumë dallim nga të tjerët, mbështetësja kryesore e Ukrainës: me ndihma ushtarake, ekonomike, edhe me strehimin e 1,3 milionë ukrainasve në Gjermani, numri më i madh i ukrainasve në Evropë. Në të njëjtën kohë, retorika e Moskës ndaj Berlinit është ashpërsuar.
Cila është përmbajtja e ndihmës së re gjermane, flitet për një shumë 1,35 miliardë euro?
Sipas raportimeve, së shpejti Gjermania do të nisë dorëzimet në Ukrainë të mijëra dronëve të rinj interceptues. Përveç kësaj, Gjermania po shpejton prodhimin e armëve me rreze të gjatë veprimi. Këtë pjesë e financon me një miliard euro. Pjesa e dytë e ndihmës ka të bëjë me energjinë: 350 milionë euro do të japë Gjermania për riparimin dhe rindërtimin e centraleve të shkatërruara.
Ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, që shoqëroi Merzin në Kiev, tha se “bëhet fjalë për sigurimin e infrastrukturës kritike, për shembull përmes bashkëpunimit me furnizues energjie si Siemens Energy”.
Në këtë kuadër, edhe termocentrale me qymyr, të nxjerra nga puna në Gjermani, do të ndërtohen sërish në Ukrainë.
A luajnë një rol interesat e ekonomisë gjermane në Ukrainë?
Berlini thekson për publikun gjerman se ndihma i sjell dobi edhe Gjermanisë. Prandaj në Kiev udhëtuan bashkë me Merzin ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, dhe shefa korporatash të energjisë e të mbrojtjes.
Delegacioni nënshkroi katërmbëdhjetë marrëveshje biznesi, me një vlerë 6,6 miliardë euro.
Vitin e kaluar, bumi i industrisë së armatimit dhe partneritetet energjetike e çuan shkëmbimin tregtar mes Gjermanisë dhe Ukrainës në nivelin rekord prej rreth 13 miliardë eurosh.
Por nuk duhet mbivlerësuar pesha e Ukrainës në ekonominë e përgjithshme gjermane. Ukraina ka rëndësi për sektorë të caktuar dhe perspektiva e rindërtimit krijon interesa të qarta për kompanitë gjermane, për zinxhirët gjermanë të furnizimit dhe për tregun e punës. Në Kiev Merz kujtoi se „Partneriteti ynë nuk është rrugë me një kah”. Të dielën ai tha se palët u pajtuan edhe për porosi te industria gjermane.
Njëkohësisht, vjet në dhjetor, Komiteti i Ekonomisë Gjermane për Evropën Lindore i kritikoi ndihmat për Ukrainën. Sipas Komitetit, Gjermania dhe BE jepnin shumë para, por “në fund tenderat i fitonin shpesh firma kineze, indiane dhe turke” — sepse vendoste vetëm çmimi. Komiteti kërkoi edhe tendere më transparente.
Në Gjermani, kancelari Merz ndodhet nën presion të madh: humbje në zgjedhje rajonale dhe forcim i AfD-së, kritika më të qarta për vazhdimin e ndihmës ndaj Ukrainës. Si shpjegohet pikërisht tani kjo vendosmëri për Ukrainën?
Qeveria gjermane jo vetëm e ka mbrojtur kursin e vet, por e ka riafirmuar —para kritikëve e mbështetësve, brenda dhe jashtë Gjermanisë. Edhe në Kiev, Merzin e pyetën për zërat që janë shtuar e kritikojnë mbështetjen për Ukrainën. Ai tha se kritikën „E marr shumë seriozisht, edhe pse nuk e mbështes”. Sipas tij, qytetarëve duhet t’u bëhet e qartë: nëse merr fund mbështetja ndaj Ukrainës, sulmet ndaj Gjermanisë nuk do të pakësohen, por do të shtohen.
Merz-i tha se për popullsinë në Ukrainë nis së shpejti dimri i pestë i luftës. „… Paratë jepen për gjeneratorë, kabllo dhe nënstacione. Gjeneratorët japin energji kur rrjeti bie”.
Në Gjermani dhe në Kiev, Merzi dha siguri se qeveria gjermane dhe ai personalisht do t’i përmbahen kursit ndaj Ukrainës. “Nëse lëkundemi ne në Gjermani, lëkundet Evropa. Lëkundet Evropa, lëkundet Ukraina” tha kancelari.
Ky qëndrim përputhet me kursin që Merz ka mbajtur ndaj Ukrainës që nga marrja e detyrës.
A do të thotë kjo gjithashtu që Gjermania po forcon udhëheqjen e saj diplomatike në Evropë, ndërsa roli i Shteteve të Bashkuara është zbehur?
Ka shenja të qarta se Berlini kërkon të marrë më shumë përgjegjësi në koordinimin evropian për Ukrainën. Berlini nuk ofron vetëm fonde për Ukrainën. Sipas shtypit evropian, kancelari gjerman pritet të mbledhë këtë dimër tridhjetë shtete, përfshirë Francën dhe Britaninë e Madhe për të koordinuar ndihmën e ardhshme.
Në këtë kuadër, Merz-i i tha ARD-së se kolegë të tjerë evropianë i kanë thënë sa i rëndësishëm është stabiliteti i Gjermanisë për Evropën.
“Ndoshta shumë njerëz në Gjermani tani e nënvlerësojnë sa e rëndësishme është që, në këto kohë të turbullta, pikërisht në Gjermani të kemi një qeveri të qëndrueshme.”… Nëse qeveria federale do të dështonte, pasojat për tërë Evropën do të ishin të mëdha./DW/ © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Dodi dw intervista Kievi merz rusia
