Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu herët të hënën në mëngjes në një kafene në rrugën Kastamonis, në Nea Ionia të Greqisë. Flakët nisën në katin përdhes të godinës dhe u përhapën me shpejtësi në tre katet e pallatit, duke detyruar banorët të largoheshin me urgjencë. Një prej banoreve dëshmoi se ishte zgjuar nga zjarri dhe, së bashku me bashkëshortin, kishte dalë në ballkon për të paralajmëruar të tjerët.
Në vendngjarje mbërritën 18 zjarrfikës me pesë automjete, si dhe një automjet special me shkallë. Ekipet e shpëtimit ndërhynë për nxjerrjen e disa personave nga ndërtesa, ndërsa dëshmitarët thanë se disa banorë u detyruan të kalonin përmes flakëve për të dalë jashtë. Sipas informacioneve paraprake, pak para përhapjes së zjarrit është dëgjuar një shpërthim në katin përdhes. Autoritetet po hetojnë mundësinë që shkak të ketë qenë një bombol gazi ose një zjarrvënie e qëllimshme.
Lokali ku shpërtheu zjarri është i njëjti ambient ku, më 22 shkurt 2023, u ekzekutua me armë zjarri 37-vjeçari shqiptar Pëllumb Islami. Deri tani, autoritetet greke nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje mes ngjarjes së sotme dhe vrasjes së tij. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe nëse bëhet fjalë për një incident aksidental apo një akt të qëllimshëm.

