Lajme Zone
Mekanizmi i alarmit i BE-së për krizat e sigurisë
BotëCNA

Mekanizmi i alarmit i BE-së për krizat e sigurisë

Duke pasur parasysh situatën e tensionuar të sigurisë në E...

Duke pasur parasysh situatën e tensionuar të sigurisë në Evropë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dëshiron të krijojë një mekanizëm alarmi për krizat e sigurisë, të pavarur nga NATO-ja, për raste që janë në pragun e një sulmi të armatosur. "Ne kemi nevojë për një mekanizëm të ngjashëm me nenin 4 të Traktatit të NATO-s", deklaroi politikania gjermane në fjalimin e saj mbi Gjendjen e Bashkimit Evropian. Nëse një shtet anëtar e aktivizon këtë mekanizëm, të gjitha shtetet anëtare duhet të mblidhen për të koordinuar një përgjigje evropiane, për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm dhe për të zbutur pasojat. Von der Leyentheksoi në Strasburg se BE-ja tashmë disponon shumë instrumenta dhe po forcon bashkëpunimin me NATO-n. Megjithatë, doktrina, institucionet dhe proceset vendimmarrëse të BE-së nuk kanë ecur me ritmin e realitetit të ri. "Sistemet tona janë krijuar për një botë tjetër. Ato janë formuar nga përpjekje me qëllime të mira për konsensus dhe kompromis", shtoi ajo.

Që nga themelimi iNATO-snë vitin 1949, neni 4 është aktivizuar nëntë herë. Herën e fundit kjo ndodhi më 23 shtator 2025 me kërkesë të Estonisë, pasi tre avionë luftarakë rusë kishin shkelur hapësirën e saj ajrore. Këto konsultime përbëjnë një sinjal politik të solidaritetit të aleancës, por mund të çojnë edhe në masa konkrete të përbashkëta, si mbështetje shtesë për parandalimin dhe mbrojtjen.

Rikthehet në diskutim Këshilli Evropian i Sigurisë

Von der Leyen njoftoi gjithashtu një koncept për krijimin e një Këshilli Evropian të Sigurisë. Duke iu referuar kësaj ideje, e cila diskutohet prej vitesh, ajo tha se me partnerë si Kanadaja, Norvegjia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar është diskutuar gjatë për një format të krerëve të shteteve dhe qeverive që do të merrej me sigurinë e kontinentit.

Sipas saj, për shkak të natyrës dhe përmasave të kërcënimeve aktuale, kjo është tani më urgjente se kurrë. Prandaj, së shpejti do të paraqiten propozime konkrete se si mund të bëhet realitet një Këshill Evropian i Sigurisë.

Për krijimin e një organi të tillë kishte bërë thirrje që në vitin 2018 ish-kancelarja gjermane Angela Merkel. Në atë kohë, ideja ishte që një organ më i vogël, me anëtarësi pjesërisht me rotacion, të përgatiste më shpejt vendimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Megjithatë, projekti nuk u realizua kurrë, për shkak të paqartësive mbi kompetencat dhe shqetësimeve të shteteve më të vogla për dominimin e vendeve të mëdha.

Mesazh për Rusinë

Von der Leyen i konsideron incidentet e fundit në Lituani dhe Danimarkë si pjesë të një modeli më të gjerë agresioni rus ndaj Evropës.

Sipas saj, këto ngjarje nuk janë raste të izoluara, por "pjesë e një modeli më të gjerë agresioni dhe provokimi rus kundër Evropës, që vë në provë gatishmërinë dhe vendosmërinë tonë".

"Rusia do të konstatojë se vendosmëria jonë vetëm sa do të bëhet më e fortë."

Në Lituani, sipas autoriteteve, avionët luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit. Ndërsa në Danimarkë, sipas Ministrisë së Jashtme, një helikopter i forcave ajrore u qëllua me raketa ndriçuese teksa po vëzhgonte një fregatë ruse në Detin Baltik.

Von der Leyen riafirmoi gjithashtu mbështetjen e gjerë përUkrainën. Ajo deklaroi se dimri i ardhshëm do të jetë më i vështiri për Ukrainën që nga fillimi i luftës. BE-ja, së bashku me partnerët e saj, synon të ofrojë ndihmë humanitare dhe të forcojë furnizimin me energji elektrike dhe ngrohje. Gjithashtu do të zgjerohet mbrojtja ajrore e Ukrainës, për çka nevojitet urgjentisht furnizimi me raketat mbrojtëse amerikane Patriot.

Partneritet i ri me Kanadanë

Në fjalimin e saj, Von der Leyen hodhi në diskutim edhe një partneritet të ri: një anëtarësim të "asociuar" të Kanadasë në BE. "Ne duam ta ngremë marrëdhënien me Kanadanë në nivelin më të lartë të mundshëm", tha ajo.

"Në këtë botë të re duhet të rimendojmë urgjentisht partneritetet tona. Disa mund të besojnë se veprimi i vetëm është përgjigjja e duhur, por kjo nuk është një opsion për ne." Ky qëndrim përfaqëson një largim të qartë nga linja tradicionale e Bashkimit Evropian. Deri më tani, 27 shtetet anëtare të BE-së kanë kundërshtuar forma të tilla fleksibile bashkëpunimi, të cilat nuk janë të parashikuara në traktatet e BE-së. Edhe propozimi i Gjermanisë në muajin maj për t'i ofruar Ukrainës një anëtarësim të asociuar si hap të ndërmjetëm drejt anëtarësimit të plotë u prit me rezervë nga shtetet anëtare.

Kryeministri kanadez Mark Carney ndoqi fjalimin e Von der Leyen në sallën plenare në Strasburg dhe u përshëndet ngrohtësisht nga eurodeputetët. Vetëm pak ditë më parë, Carney kishte deklaruar se vendi i tij synon një "aleancë unike" me BE-në, por jo anëtarësim të plotë.

Kanadaja, ashtu si BE-ja, po përballet me pasojat e politikës tregtare dhe të jashtme pjesërisht të paparashikueshme të Shteteve të Bashkuara nën Presidentin Donald Trump. Së fundmi, presidenti amerikan e ka përshkallëzuar mosmarrëveshjen tregtare me Kanadanë duke vendosur kufizime të reja importi dhe tarifa doganore. /DW Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.