Gjashtë vite pas vdekjes së shqiptarit Saimir Sula në një spital në Barcelonë, rasti rikthehet në vëmendjen e mediave spanjolle. Gazeta “The Objective” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar ngjarjes së majit 2020, kur Sula ndërroi jetë në spital dhe trupi i tij u riatdhesua në Shqipëri pa zemrën. Familja vijon të kërkojë zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes dhe shpjegimin se çfarë ndodhi me organin e munguar. Sipas raportimit, hetimi i autoriteteve spanjolle është mbyllur, ndërsa Prokuroria e Tiranës vijon të mbajë të hapur çështjen për trafik të mundshëm organesh. Hetimet shqiptare janë përballur me vështirësi për shkak të 14 provave të kërkuara nga Spanja, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e mjekëve e personelit spitalor. Ndërkohë, në Shqipëri mbërriti në korrik të vitit 2023 një zemër me datë vdekjeje 22 prill 2020, ndërsa Saimir Sula kishte ndërruar jetë më 9 maj të po atij viti. Deri më tani, analiza e ADN-së nuk ka arritur të përcaktojë nëse organi i përket atij. Familjarët kërkojnë kryerjen e testit të ADN-së dhe rihapjen e hetimeve në Spanjë, duke e konsideruar identifikimin e organit një provë thelbësore për zbardhjen e çështjes. Avokati i familjes, Carlos Sardinero, ka ngritur shqetësime për mënyrën e ruajtjes së materialit biologjik, ndërsa gazetarja investigative Klodiana Lala ka vënë në pikëpyetje mungesën e progresit në sigurimin e provave. Pavarësisht viteve të kaluara, familja e Saimir Sulës vijon të kërkojë përgjigje për një ngjarje që mbetet ende e pazbardhur plotësisht.

