Një 31-vjeçar shqiptar është gjetur i pajetë në një pus rreth 10 metra të thellë në zonën e Felloniche, në komunën e Longiano-s, pranë Cesena-s në Itali.Viktima është identifikuar si Denaldo Maxhallaku, i cili punonte si bojaxhi dhe jetonte prej rreth një viti në Gatteo. Sipas televizionit publik italian Rai News, një 29-vjeçar nga zona e Cesena-s është ndaluar nga autoritetet dhe ka pranuar vrasjen. Hetuesit dyshojnë se ngjarja lidhet me një borxh prej rreth 1.000 eurosh për drogë.Trupi i shqiptarit u gjet mëngjesin e 28 tetorit, pas disa javësh kërkimesh.Maxhallaku ishte zhdukur më 7 tetor, ndërsa automjeti i tij ishte gjetur i djegur një ditë më vonë, rreth pesë kilometra larg vendit ku u zbulua trupi, transmeton Telegrafi.Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, mbrëmjen e zhdukjes, 31-vjeçari kishte lënë një takim me të dyshuarin. Gjatë takimit dyshohet se mes tyre ka nisur një konflikt për një borxh të lidhur me shitjen e kokainës. I dyshuari ka deklaruar se nuk kishte paratë për t’ia kthyer shqiptarit dhe se situata kishte përfunduar në një përplasje të dhunshme.Sipas hetimeve paraprake, 29-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj Maxhallakut, më pas ka fshehur trupin në një pus pranë banesës së tij dhe ka djegur automjetin e viktimës. Pranë vendit ku u gjet trupi, karabinierët kanë sekuestruar edhe dy gëzhoja.Operacioni për nxjerrjen e trupit zgjati disa orë dhe përfshiu karabinierët, ekspertët kriminalistikë dhe zjarrfikësit. Në vendngjarje ishte i pranishëm edhe mjeku ligjor, ndërsa hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Forlì-t.Denaldo Maxhallaku kishte lënë pas partneren dhe një vajzë rreth njëvjeçare. I dyshuari ndodhet në paraburgim, nën akuzat për vrasje dhe fshehje të kufomës, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit./Telegrafi/

