Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar krijimin e një Agjencie për Sekuestrimin e Pasurive të Paligjshme, me synimin për të rikuperuar asetet që, sipas tij, janë përfituar nga zyrtarë dhe grupe kriminale. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha pretendoi se pasuritë e krijuara në mënyrë të paligjshme arrijnë përmasa të jashtëzakonshme dhe premtoi se, përmes një kuadri të ri ligjor, ato do t’u kthehen qytetarëve shqiptarë. Kreu i PD-së komentoi gjithashtu votimin e reformës territoriale në Kuvend, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se kishte shkuar me një plan të paracaktuar dhe synonte ta miratonte reformën pa debat. Berisha tha se opozita e kishte penguar këtë skenar. “Rama kishte ardhur me projekt, nuk donte debat, sepse donte që të votonte Reformën Territoriale në katër sekonda. Por ne ia dogjëm atë projekt. Ata që krahasojnë të pakrahasueshmen janë shërbëtorë mjeranë të qeverisë ose kanë probleme me veten. Ne e kemi shpallur, do të krijojmë Agjencinë Kombëtare të Konfiskimit të Pasurive të Paligjshme, të cilat janë më të mëdha se mali i Dajtit, të cilat janë të fshehura në të katër anët e planetit në kontot bankare në miliarda të Edi Ramës, narkoqeveritarëve të tij, trafikantëve të drogës, zyrtarëve e të tjerë. Pra, jap garanci të plotë se me një kuadër të ri ligjor kjo agjenci do t’i rikthejë në vlera për qytetarët shqiptarë të gjitha pasuritë e plaçkitura, të grabitura apo të vendosura nga veprimtari kriminale.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Berisha
