Lajme Zone
“Më kërcënuan se do të më vrisnin nënën”/ Rrëfimi tronditës i artistes ruse pas arratisjes nga vendi: U detyrova që të merrja pjesë në ekzekutimin e…
PolitikëTop Channel

“Më kërcënuan se do të më vrisnin nënën”/ Rrëfimi tronditës i artistes ruse pas arratisjes nga vendi: U detyrova që të merrja pjesë në ekzekutimin e…

Një artiste dhe aktiviste ruse, e lidhur më parë me kolektivin Pussy Riot, ka rrëfyer se për tre vjet ishte nën presionin e shërbimit sekret rus FSB, i cili sipas saj e detyroi të bashkëpunonte, të mblidhte informacione për aktivistë të tjerë dhe, në fund, ta ndihmonte në një plan për rrëmbimin dhe vrasjen e një kundërshtari të Kremlinit.

Një artiste dhe aktiviste ruse, e lidhur më parë me kolektivin Pussy Riot, ka rrëfyer se për tre vjet ishte nën presionin e shërbimit sekret rus FSB, i cili sipas saj e detyroi të bashkëpunonte, të mblidhte informacione për aktivistë të tjerë dhe, në fund, ta ndihmonte në një plan për rrëmbimin dhe vrasjen e një kundërshtari të Kremlinit. Rita Flores, 29 vjeçe, emri i së cilës është Margarita Konovalova, thotë se bashkëpunimi me FSB-në nisi në shkurt të vitit 2023, pas një kontrolli policor në banesën e saj.

Sipas rrëfimit të saj, dy burra që qëndruan pas kontrollit u prezantuan si oficerë të FSB-së dhe e kërcënuan me hapjen e një çështjeje penale për një postim në Instagram, ku kishte kritikuar vrasjet e kryera nga Rusia në Ukrainë, shkruan Guardian.

Flores pretendon se oficerët shkuan edhe më tej, duke i thënë se mund të organizonin vrasjen e nënës së saj nëse ajo nuk pranonte të bashkëpunonte.

“I besova. Besova se mund të bënin gjithçka që thoshin. Frika ime ishte shumë e madhe. Isha shumë e shqetësuar për familjen time dhe për veten”, rrëfeu ajo.

Sipas saj, pasi pranoi të bashkëpunonte, mori një pagesë të vetme prej rreth 30-40 mijë rubla.

Flores thotë se detyrat e para konsistonin në mbledhjen e informacioneve për artistë dhe aktivistë të tjerë opozitarë që bënin pjesë në rrethin e saj shoqëror.

Ajo pretendon se dy oficerët që e rekrutuan u bënë “menaxherët” e saj dhe organizonin takime të shpeshta me të.

Sipas rrëfimit të saj, njëri prej tyre, të cilin ajo e quan “Ivan”, sillej miqësisht dhe përpiqej të fitonte besimin e saj, ndërsa një tjetër, të cilin Flores e kishte pagëzuar me nofkën “Jacket”, ishte më agresiv dhe kërcënues.

“FSB-ja do të të riedukojë. Unë do të të riedukoj. Do të kesh një jetë të qetë, do ta duash Rusinë, do të kesh fëmijë dhe do të jesh një bashkëshorte e bindur”, pretendon Flores se i kishte thënë Ivani.

Ajo thotë se, pavarësisht urdhrit për të mos i treguar askujt për rekrutimin, ua rrëfeu menjëherë rreth 20 personave.

Megjithatë, sipas saj, nuk u dha oficerëve informacionet që ata kërkonin për artistët e tjerë. Në vend të kësaj, ajo pretendon se krijonte konflikte artificiale me ta për t’i larguar dhe për të shmangur që t’i tregonin informacione sensitive.

Sipas Flores, në maj të vitit të kaluar, oficerët e FSB-së nisën ta pyesnin për Pyotr Verzilov, një aktivist i lidhur më parë me Pussy Riot, i cili jeton në Ukrainë dhe lufton në ushtrinë ukrainase kundër Rusisë.

Ajo pretendon se FSB-ja i kërkoi të siguronte adresën e Verzilovit dhe më pas të përdorte marrëdhënien e vjetër të miqësisë me të për ta bindur që të takohej me të në Serbi.

Sipas versionit të saj, oficerët i thanë se në Serbi Verzilov do të rrëmbehej dhe vritej nga një grup i FSB-së.

Flores pretendon se për këtë detyrë iu ofruan edhe 50 mijë rubla në muaj si pagesë shtesë.

Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga The Guardian. Megjithatë, gazeta thekson se ka pasur raste të dokumentuara të infiltrimit të grupeve opozitare ruse nga shërbimet e sigurisë gjatë viteve të fundit.

Ndërkohë që, sipas saj, FSB-ja e përdorte dhe e kërcënonte, Flores nisi të planifikonte largimin nga Rusia.

Ajo u martua me partnerin e saj shtatorin e kaluar dhe thotë se e përdori martesën si një mënyrë për t’iu shmangur detyrës në Serbi, duke u thënë oficerëve se bashkëshorti i saj nuk do ta lejonte të udhëtonte për t’u takuar me një burrë tjetër.

Më pas, sipas Flores, ajo kontaktoi avokatin Dmitry Zakhvatov dhe së bashku nisën të planifikonin largimin e saj nga vendi.

Detajet e arratisjes nuk janë bërë publike, me arsyetimin se mund të rrezikonin metoda që mund të përdoren për të ndihmuar persona të tjerë në situata të ngjashme.

Flores u largua nga Rusia në fund të gushtit.

“Për herë të parë pas vitesh ndihem e qetë. Gjatë gjithë kësaj kohe ëndërroja të largohesha dhe të mund të flisja për gjithçka”, tha ajo në intervistën e saj të parë mediatike pas largimit.

Pas largimit të saj, Flores publikoi një rrëfim në video së bashku me avokatin e saj, duke thënë se dëshironte të inkurajonte persona të tjerë të rekrutuar nga FSB-ja që të shkëpusnin lidhjet me shërbimin sekret.

Rrëfimi i saj ka marrë mbështetje nga disa pjesëtarë të opozitës ruse në mërgim, por edhe kritika për faktin se ajo bashkëpunoi për një periudhë të gjatë.

Masha Alekhina, aktiviste e Pussy Riot, tha se frika mund ta ndryshojë një person.

“Është e rëndësishme që tani ajo është jashtë vendit dhe ka folur hapur për atë që i ndodhi”, u shpreh Alekhina, duke shtuar se, sipas saj, askush nuk u vra dhe askush nuk përfi në burg për shkak të veprimeve të Flores.

Tashmë, Flores thotë se dëshiron të ndihmojë persona të tjerë që mund të gjenden në një situatë të ngjashme dhe beson se rekrutimi i aktivistëve nga FSB-ja është shumë më i përhapur nga sa duket publikisht. Top Channel