Katër dynymë tokë të zhdukura nga regjistri, taksa të paguara për 24 dynymë dhe institucione që, sipas qytetarit, ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, pa i dhënë zgjidhje. Kjo është historia që sjell këtë të mërkurë emisioni investigativ “Tak Fak”, i cili u rikthye në transmetim me tema dhe rubrika të reja. Këtë herë, gazetarët udhëtuan drejt Voskopit në Korçë, ku u përballën me një denoncim që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si janë administruar të dhënat e pronësisë dhe taksat për tokën. Në qendër të investigimit është Lushi Kristo Metko, i cili pretendon se familjes së tij, me gjashtë anëtarë, i janë njohur 24 dynymë tokë përmes ligjit 7501. Por, sipas tij, në regjistrat e njësisë administrative dhe në dokumentacionin që përdoret për llogaritjen e taksave rezultojnë vetëm 20 dynymë. Për pasojë, katër dynymë tokë nuk figurojnë më, ndonëse qytetari këmbëngul se ka paguar vazhdimisht detyrimet për të gjithë sipërfaqen. Metko tregon se problemi është bërë i dukshëm muajt e fundit, kur familjes i është kërkuar të pajiset me certifikatë pronësie. Ai thotë se prej vitesh ka kërkuar sqarime në institucionet vendore, por nuk ka gjetur zgjidhje. Madje, sipas tij, për shkak të përpjekjeve për të kërkuar të drejtën e tij, është përballur edhe me arrestimin dhe kërcënime.
“Jemi 6 anëtarë dhe kemi përfituar 24 dynym. Kemi paguar rregullisht taksat. Nga 2011, kemi paguar për 5 anëtarë sipas institucioneve. Askush nuk na kanë pritur e as nuk na kanë dhënë zgjidhje. Problemi ka ndodhur para ca muajsh, kur na u tha se duhet të pajisemi me certifikatë pronësie. Unë kam paguar për 6 vetë taksa. Kemi faturat që kam paguar për 6 vetë. Një anëtar nuk figuron në regjistër dhe nuk e dimë se kush mungon në familje, se nuk na e thotë njësia administrative. Jemi 6 anëtarë dhe me letra nuk e dimë se kush anëtar mungon. Edhe komuna, edhe Bashkia ta gjejë. Nuk e takoj dot as kryetarin e Bashkisë. Të jetë për taksa, ata direkt vijnë, po të jetë për ankesë, nuk i takon dot. Më kanë arrestuar madje për këtë problem. Ata e kanë pranuar se janë fajtorë, por se kanë shtuar se nuk kanë çfarë të bëjnë.” Përplasja në zyrën e taksave: Qytetari kërkon 24 dynymët, zyrtari thotë se në regjistër figurojnë 20
Pas dëshmisë së qytetarit, gazetarët e “Tak Fak” iu drejtuan institucioneve për të marrë një përgjigje mbi diferencën prej katër dynymësh dhe arsyet se përse sipërfaqja e tokës nuk përputhet me dokumentet dhe pagesat që disponon Metko. Në zyrën e taksave, qytetari u përball me zyrtarin përgjegjës, duke i kërkuar të sqaronte se përse në regjistër figurojnë vetëm 20 dynymë, ndërkohë që ai pretendon se ka përfituar dhe ka paguar taksat për 24 dynymë. Qytetari: Unë të kam thënë se kam 24 dynym, kurse ti thua se kam 20 dynym.
Zyrtari për taksat: Unë mbledh taksa për 20 dynym.
Qytetari: Kërkoj që të më rregullojnë gabimin. Unë kam 6 anëtarë në familje.
Zyrtari: Nuk ia japim dot ne zgjidhjen problemit. Mund të jetë dhe gabim në regjistër. Sipas mandateve që i pashë zotërisë, përpara 2011, janë paguar paratë për 24 dynym. Nuk kemi të dhëna përpara 2011, por bazohemi tek të dhënat që ka zotëria. Ne nuk kemi 24 dynym, sepse regjistri është nga viti 2011.
Qytetari: Këta shënojnë gjërat sipas qejfit të tyre. Edhe më 2025 kam paguar për 24 dynym, gjithmonë. Unë kam paguar për 24 dynym dhe jo për 20 dynym.
Gjatë bisedës, gazetari i “Tak Fak” vuri në dukje edhe problemet me dokumentacionin dhe sistemin e të dhënave, duke ngritur pikëpyetjen sesi mund të marrë një qytetar shërbimin e duhur, kur vetë regjistrat e institucionit nuk ofrojnë informacion të plotë dhe të saktë.
Gazetari: Si rregull duhet të kishte regjistër dhe databazë. Mirëpo nuk janë. Është një regjistër thuajse copë-copë, që nuk del. Edhe në databazë sistemi del keq, si duhet ta marrim shërbimin?
Pavarësisht pyetjeve dhe kërkesave për sqarime, zyrtari u largua nga zyra pa dhënë shpjegime të mëtejshme mbi mospërputhjen mes sipërfaqes së pretenduar nga qytetari dhe asaj që figuron në regjistër.
Përballja me administratorin e Voskopit: Më ke kërcënuar, do të më vjedhësh tokën
Investigimi vijoi në zyrën e administratorit të Njësisë Administrative Voskop, Erjon Demirasi. Këtu përplasja mes qytetarit dhe përfaqësuesit të institucionit u bë edhe më e fortë.
Metko akuzoi administratorin se nuk i kishte dhënë zgjidhje problemit, por edhe se e kishte kërcënuar gjatë përpjekjeve të tij për të kërkuar korrigjimin e regjistrit. Qytetari pretendon gjithashtu se toka po i merret për t’u kaluar personave të tjerë.
Qytetari: Administratori Erjon Demirasi thotë se ke 20 dynym, kur kam 24 dynym. Do që të vjedhë tokë bashkë me shokët e vet.
Administratori i Njësisë Administrative Voskop: Qytetari ka marrë një përgjigje.
Qytetari: Më ke kërcënuar dhe më ke gënjyer sy për sy, ke gënjyer edhe deputeten. Më ke kërcënuar, më ke sjellë tre furgona policie, teksa dua të kërkoj të drejtën time. Po kërkon të më vjedhësh tokën dhe kërkon t’ua japësh krushqve të tu. Mua më kanë përzënë nga kjo zyrë me kërcënime. Ka nënkuptuar me fjalët që thotë se “do të rrah jashtë zyrave”.
Nga ana e tij, administratori u mbrojt duke deklaruar se nuk mund të bëjë ndryshime në regjistrin e taksave dhe se dokumentacioni që përdor institucioni pasqyron vetëm 20 dynymë. Sipas tij, të dhënat e përdorura nga administrata janë ato që figurojnë në regjistrin e krijuar pas vitit 2011.
Administratori: Regjistri i taksës thotë 20 dynym, nuk kam ku të bazohem në vend tjetër, që t’i japë zotërisë 24 dynym. Dokumenti që keni ka qenë që në kohën e komunës, por që më 2011 është njësi administrative.
Qytetari: Më ke kërcënuar personalisht, duke më thënë mos më fol mua kështu se e di çfarë do të gjejë. Sistemi ekziston që më 1991.
Administratori: Përgjigjen e ke marrë nga institucionet.
Qytetari: Kemi paguar për 24 dynym dhe dua 24 dynym, të korrigjohet gabimi që është bërë.
Administratori: Nuk mund të ndërhyj dot në regjistër.
Gjatë përplasjes, gazetari i emisionit evidentoi edhe një tjetër element të rëndësishëm të denoncimit: ndryshimi i sipërfaqes së tokës në regjistër pretendohet se është bërë që në vitin 2011, ndërsa qytetari thotë se ka mësuar për këtë mospërputhje vetëm gjashtë muajt e fundit.
Gazetari: Ndryshimi nga 24 dynym në 20 dynym është bërë më 2011 dhe zotëria e ka marrë vesh vetëm 6 muajt e fundit.
Qytetari: Asnjë institucion nuk më jep zgjidhje.
Pa përgjigje edhe nga Bashkia Korçë
Pas përballjeve në zyrën e taksave dhe me administratorin e Njësisë Administrative Voskop, gazetarët e “Tak Fak” iu drejtuan edhe Bashkisë së Korçës, me qëllim marrjen e një përgjigjeje për denoncimin e Lushi Kristo Metkos dhe sqarimin e mospërputhjes në dokumentacionin e pronësisë.
Megjithatë, edhe nga Bashkia Korçë nuk u mor një përgjigje për çështjen e ngritur nga qytetari.
Kështu, pas një sërë përballjesh me përfaqësuesit e institucioneve vendore, Metko vijon të pretendojë se i mungojnë katër dynymë nga prona prej 24 dynymësh që familja e tij ka përfituar me ligjin 7501. Ndërkohë, institucionet i referohen regjistrit të vitit 2011, ku sipërfaqja rezulton 20 dynymë, pa dhënë një zgjidhje konkrete për mospërputhjen e pretenduar. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
