Një 20-vjeçar nga Gjilani është arrestuar të shtunën rreth orës 22:00, nën dyshimin se kishte mashtruar qytetarët duke pretenduar se vuante nga leukemia dhe duke mbledhur kështu më shumë se 190 mijë euro donacione.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, Endrit Azemi dyshohet se që nga 9 nëntori kishte organizuar një fushatë të rreme, duke paraqitur një histori të pavërtetë për gjendjen e tij shëndetësore.
Pas hetimeve, Prokuroria ka bërë të ditur se është vërtetuar se 20-vjeçari nuk vuante nga leukemia, ndonëse këtë e kishte paraqitur si arsye për të kërkuar ndihmë financiare nga qytetarët. Ndërkohë, janë bllokuar të gjitha mjetet financiare të grumbulluara në llogaritë e tij bankare.
Dyshimet për mashtrim u shtuan edhe pas publikimit të disa videove në rrjetet sociale. Në njërën prej tyre, Azemi shfaqej me kokën e rruar, si dhe me pjesë të vetullave dhe mustaqeve të hequra, duke krijuar pamjen e një personi që po përballej me një sëmundje të rëndë. Në pamje, ai fliste me vështirësi dhe falënderonte personat që po kontribuonin financiarisht për të.
Në një tjetër video ai tregonte se ishte në komunikim me një spital në Turqi për vijimin e kurimit të tij.
Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur që ndaj Azemit të caktohet masa e paraburgimit prej një muaji.
Ndërkaq, familjarët e tij kanë deklaruar se edhe vetë kishin rënë pre e mashtrimit, duke treguar se nuk kishin qenë në dijeni të asaj që po ndodhte.

