Lajme Zone
“Me firmën e parë filloi mega-afera e radhës”/ Deputeti i PD akuzon Klodiana Spahiun, ministrja: Burrave u numërohen heroizmat, grave…
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

“Me firmën e parë filloi mega-afera e radhës”/ Deputeti i PD akuzon Klodiana Spahiun, ministrja: Burrave u numërohen heroizmat, grave…

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka akuzuar ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, se një nga veprimet e para në detyrë lidhet me emërimin e Yllka Kukalajt në drejtimin e OSHISH, duke e lidhur këtë vendim me tenderin e dializës me vlerë 48.2 milionë euro.

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka akuzuar ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, se një nga veprimet e para në detyrë lidhet me emërimin e Yllka Kukalajt në drejtimin e OSHISH, duke e lidhur këtë vendim me tenderin e dializës me vlerë 48.2 milionë euro. Spahia pretendon se emërimi është pjesë e një skeme për kontrollin e fondeve të shëndetësisë dhe akuzon qeverinë se po keqpërdor paratë publike.

“Sapo u vulos tenderi skandaloz 48.2 milionë euro pa garë, akti i parë i ministres së re ishte emërimi i Yllka Shetës, e cila sipas denoncimeve nga qytetarët është kushërirë e parë e gruas së kryeministrit”, shkruan Spahia.

Ai e cilëson këtë vendim si “mega-aferën e radhës” dhe pretendon se dhjetëra milionë euro nga shërbimet e sterilizimit, dializës dhe check-up-it do të mbeten nën kontrollin e njerëzve pranë pushtetit.

Spahia ka deklaruar gjithashtu se Partia Demokratike, nëse vjen në pushtet, do të anullojë procedurat që i konsideron korruptive dhe do të kërkojë ndjekjen penale të personave të përfshirë.

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, i është përgjigjur akuzave duke shpjeguar arsyet e emërimit të Yllka Kukalajt.

“Z. Bardh Spahia ka pyetur publikisht për emërimin e Yllka Kukalajt. Ka të drejtë të pyesë. Unë kam detyrë të përgjigjem”, deklaroi ministrja.

Sipas Spahiut, Kukalaj është ekonomiste dhe ka drejtuar sektorin e buxhetit dhe pagave në Bashkinë e Krujës, ndërsa më pas ka drejtuar spitalin e qytetit për disa vite si titullare e autoritetit kontraktor.

Ministrja tha se e ka njohur Kukalajn gjatë punës së saj në spital, përfshirë periudhat e tërmetit, pandemisë dhe rindërtimit të godinës.

Ajo hodhi poshtë aludimet mbi lidhjet familjare, duke i cilësuar si një mënyrë të vjetër për të sulmuar gratë që marrin poste publike.

“Burrave u numërohen heroizmat. Grave u numërohen kushërinjtë. Kjo nuk është mënyra ime”, tha Spahiu.

Ministrja theksoi se Kukalaj do të vlerësohet për punën që do të kryejë në OSHISH dhe jo për lidhjet familjare që i atribuohen.

“Me mua profesionisti vjen përpara paragjykimit dhe qytetari vjen përpara koncesionit”, u shpreh ajo, duke shtuar se rishikimi i procedurës do të jetë pjesë e mënyrës së saj të punës.

Përplasja mes deputetit të opozitës dhe ministres së re vjen në një moment kur tenderët dhe koncesionet në sektorin e shëndetësisë vijojnë të jenë në qendër të debatit politik. Top Channel