Lajme Zone
Të tjeraBalkanWeb

“Me arkivol në krah”/ 14 vite përplasje, denoncimi i 86-vjeçarit në “Tak Fak”: Komshiu i vuri fadromën rrugës! Më shkuli pemët dhe dëmtoi tokën


Një problem i hershëm pronësie është denoncuar në emisionin “Tak Fak” në News24, nga një 86-vjeçar në fshatin Bërzeshtë të Përrenjasit. Xhavit Blloshmi pretendon se prej vitit 2014 përballet me probleme të pazgjidhura me pronën e tij dhe se një prej tyre lidhet me një rrugë këmbësore për të cilën thotë se disponon certifikatë pronësie.

Një problem i hershëm pronësie është denoncuar në emisionin “Tak Fak” në News24, nga një 86-vjeçar në fshatin Bërzeshtë të Përrenjasit. Xhavit Blloshmi pretendon se prej vitit 2014 përballet me probleme të pazgjidhura me pronën e tij dhe se një prej tyre lidhet me një rrugë këmbësore për të cilën thotë se disponon certifikatë pronësie. Sipas Blloshmit, Maksut Ozuni dhe djali i tij, Kujtim Ozuni, kanë ndërhyrë në pronën e tij duke zgjeruar një rrugë me fadromë, pa praninë e një inxhinieri. Ai pretendon se gjatë punimeve janë shkulur edhe pemë frutore dhe se zgjerimi i rrugës ka dëmtuar tokën e tij, duke i pamundësuar edhe vaditjen. “Futi fadromën dhe pa inxhinier, zgjeroi rrugën që e çonte te shtëpia, mbi pronën time. Mori çfarë kishte përpara, arra, kumbulla, i shkuli”, ka deklaruar 86-vjeçari. Ai tregon se për problemin është drejtuar disa herë në Bashkinë e Përrenjasit, madje pretendon se ka shkuar rreth 50 herë për të kërkuar ndërhyrje. Sipas tij, edhe pse ka kërkuar takim me kryetarin e bashkisë, çështja nuk ka gjetur zgjidhje. “Tak Fak” shkoi në terren për të verifikuar situatën dhe u përball me palën tjetër. Bashkëshortja e Maksut Ozunit kundërshtoi pretendimet e Blloshmit, duke deklaruar se toka ku është zgjeruar rruga është e tyre. Ajo tha se rruga është e nevojshme edhe për raste emergjente, duke përmendur kalimin e ambulancës.

Nga ana tjetër, nipi i Xhavit Blloshmit deklaroi se familja nuk është kundër hapjes së rrugës, por kundërshton marrjen e tokës së tyre pa leje. Ai pretendoi se zgjerimi është bërë në dëm të pronës së familjes dhe se palët janë njoftuar për lirimin e saj.

Përplasja mes palëve u zhvendos edhe te rruga që çon drejt banesës së vjetër të familjes Blloshmi dhe më pas te varrezat e fshatit. 86-vjeçari pretendoi se edhe rruga që përdoret për të çuar arkivolet drejt varrezave është e bllokuar dhe se banorët janë të detyruar të përdorin një shteg të vështirë.

“Këtu ku jemi nuk kalohet me arkivol. Ne sot që flasim e marrim arkivolin nga shkolla te rrapi”, tha Blloshmi gjatë transmetimit.

Në vijim, grupi i emisionit shkoi në Bashkinë Përrenjas, ku Blloshmi përsëriti se prej vitesh ka kërkuar zgjidhje për pronën. Ai tha se dëmi ekonomik është i madh dhe se toka nuk punohet prej rreth 12 vitesh.

Gazetarët tentuan të kontaktonin edhe kryetarin e Bashkisë Përrenjas, Nuri Belba, për të marrë një qëndrim lidhur me denoncimin, por ai nuk iu përgjigj telefonatës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb