Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për vrasjen e Anesti Ramës, 56 vjeç, në fshatin Frashër të Patosit, dhe ka dërguar çështjen në gjyq. Vajza e tij, Ermalinda Rama, akuzohet për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, ndërsa nëna, V.R., akuzohet se ka pastruar vendin e ngjarjes dhe trupin e viktimës për të penguar zbulimin e së vërtetës. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 23 korrik 2025, në fshatin Frashër të Patosit, ku 56-vjeçari Anesti Rama u vra nga vajza e tij.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka dërguar në gjyq 26-vjeçaren Ermalinda Rama, e akuzuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, si dhe nënën e saj, Valbona Rama, e akuzuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ndodhi në banesën e familjes, ku e reja dyshohet se i shtrëngoi të atit qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.
Pas vrasjes, përpara mbërritjes së shërbimeve të Policisë, bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, Valbona Rama, dyshohet se kreu veprime për pastrimin e ambientit ku u gjet trupi dhe për larjen e tij.
Sipas hetimeve, këto veprime synonin ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve të krimit, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Prokuroria bën me dije se në përfundimet e saj ka marrë në konsideratë deklarimet e administruara, rezultatet e ekspertimit mjekoligjor, këqyrjen e vendit të ngjarjes, sendet e sekuestruara dhe provat e tjera të mbledhura gjatë hetimit.
Në bazë të këtyre provave, organi i akuzës ka arritur në përfundimin se Emalinda Rama. ka kryer veprimet që i shkaktuan vdekjen të atit, ndërsa e ëma ka ndërhyrë për të penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Krimi u regjistrua rreth orës 23:00 të 23 korrikut 2025, në banesën e familjes Rama, në fshatin Frashër të Patosit.
Sipas njoftimit të Policisë të publikuar pas ngjarjes, 26-vjeçarja kishte njoftuar autoritetet se babai i saj kishte humbur jetën në rrethana aksidentale. Megjithatë, dyshimet e krijuara gjatë veprimeve të para hetimore çuan në vijimin e hetimeve për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Hetimet e kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, zbuluan dyshimet për vrasje me mbytje me tel.
Në atë kohë, Policia bëri të ditur se e reja kishte pranuar autorësinë e krimit, ndërsa nëna e saj u shoqërua për t’u hetuar mbi rolin e dyshuar në pastrimin e trupit të viktimës.
Me përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e çështjes për gjykim, tashmë do të jetë gjykata ajo që do të shqyrtojë provat dhe do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të dy të pandehurave.
Ermalinda Rama akuzohet për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, sipas nenit 79/a të Kodit Penal, ndërsa Valbona Rama për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, sipas nenit 301 të Kodit Penal. Të dyja të pandehurat prezumohen të pafajshme deri në marrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Top Channel

