Serbia ka mbyllur një ditë zgjedhjesh të shoqëruar me radhë të gjata votuesish, sulme ndaj mbështetësve të studentëve dhe prani të shtuar të policisë në Beograd. Në orën 20:00 u mbyllën qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku partia e Aleksandër Vuçiçit përballet me Listën Studentore, të dalë nga protestat kundër qeverisë. Një orë para mbylljes së qendrave të votimit, pjesëmarrja kishte kaluar rekordin e regjistruar që prej vitit 2006, ndërsa pjesëmarrja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ishte ndjeshëm më e ulët. Qendrat e votimit janë mbyllur në të gjithë Serbinë, por qytetarët që ndodheshin në radhë në orën 20:00 kanë të drejtë të votojnë edhe pas këtij orari. LEXO EDHE:Serbia në pritje të rezultateve të zgjedhjeve, Vuçiç mbërrin në selinë e partisë! Në orën 22:30 pritet të dalë me rezultatet e para Deri në orën 19:00, sipas organizatës CRTA, kishin votuar 67.8% e zgjedhësve. Në të njëjtën orë, në zgjedhjet e vitit 2023, pjesëmarrja kishte qenë 55.5%. Edhe CeSID raportoi një shifër të ngjashme, 67.6%. Kjo do të thotë se, ende pa përfunduar votimi, pjesëmarrja kishte kaluar shifrën 61.35% të vitit 2008, më e larta e regjistruar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që prej vitit 2006. Sulme me shufra metalike ndaj mbështetësve të studentëve Në Nish, mbështetës të Listës Studentore që lëviznin me motoçikleta u sulmuan nga persona të veshur me të zeza. Sipas dëshmitarëve të cituar nga gazeta Danas, disa prej sulmuesve mbanin shufra metalike. Sulmet nisën gjatë ditës dhe u raportuan të plagosur. Në mbrëmje, një prej motoçiklistëve tha se rreth 40 persona ishin dërguar në polici për t'u marrë në pyetje lidhur me incidentet. Një ngjarje e ngjashme u raportua në Hërtkovci. Sipas njërit prej të sulmuarve, disa persona me shkopinj dolën nga dy automjete dhe goditën motoçiklistët që mbështesnin studentët. Ai tha se kishte edhe të plagosur rëndë, ndërsa policia shkoi në vendngjarje. Në Leskovc, konflikti ndodhi brenda një qendre votimi. Një anëtar i komisionit zgjedhor theu kutinë e votimit dhe goditi një përfaqësues të studentëve, duke sjellë ndërprerjen e procesit pas orës 15:00. Edhe në Pançevo u raportua një sulm ndaj disa të rinjve pranë një qendre votimi. Ndërsa në Vranjë u sulmuan fizikisht dy gazetarë, Mihajlo Stojkoviç dhe Jelena Stojkoviç. Njëri prej tyre tha se policia nuk kishte ndërhyrë. Forca të shumta policie dhe automjete të blinduara në Beograd Ndërsa në qytete të tjera raportoheshin sulme, në qendër të Beogradit u panë automjete të blinduara të Xhandarmërisë dhe forca të shumta policie. Disa prej automjeteve u vendosën pranë Presidencës, në zonën e Parkut të Pionierëve. Prani policore u raportua edhe përpara Pallatit të Vjetër. Pak para mbylljes së votimit, në sheshin Nikola Pashiç u filmua një grup burrash të veshur me të zeza që lëviznin drejt Parlamentit. Incidentet gjatë votimit sollën edhe reagimin e Bashkimit Europian. Kreu i Delegacionit të BE-së në Serbi, Andreas von Beckerath, shprehu shqetësim për raportimet e dhunës pranë disa qendrave të votimit. Dyshime për blerje votash dhe pengim të vëzhguesve Gjatë ditës nuk munguan as raportimet për parregullsi. Në Novi Sad, qytetarët pretenduan se kishin parë persona me thasë dhe zarfe, ndërsa disa thanë se ishin kërcënuar. Policia ndaloi dy persona. Në Kostolac u publikuan pamje që dyshohet se tregojnë mbajtjen e regjistrave paralelë të votuesve në një sallë sportive. CeSID njoftoi se deri në orën 17:00 kishte marrë 260 raportime për parregullsi të mundshme. Ndërsa CRTA bëri të ditur se deri në orën 16:00 kishte evidentuar parregullsi në 29% të qendrave të monitoruara, përfshirë presione ndaj votuesve, komisionerëve dhe vëzhguesve. Edhe nga Kosova pati pretendime për blerje votash. Sipas dëshmive anonime të publikuara nga KosovaPress, disa qytetarëve dyshohet se u janë ofruar nga 100 euro për të votuar Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiçit. Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Çfarë ndodhi me votën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës? Për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë. Partitë shqiptare hynë të bashkuara në garë, përmes “Koalicionit Shqiptar”, me numrin 17, me synimin për të siguruar më shumë përfaqësim në Parlamentin serb. Por pjesëmarrja e lartë në të gjithë Serbinë mund t'ua vështirësojë sigurimin e mandatit të dytë. Bartësi i listës, Shaip Kamberi, tha për RTK-në se shqiptarët janë ende në garë për dy deputetë, por sa më shumë të rritet pjesëmarrja në nivel vendi, aq më shumë vota do t'u duhen. “Nëse shkon në 70%, siç po flitet, atëherë sigurisht do të kërkohen më tepër vota. Në rast të një rezultati 61–65%, kemi gjasa shumë reale ta kemi ulësen e dytë”, deklaroi ai. Kamberi tha gjithashtu se pasivizimi i adresave të shqiptarëve ua kishte pamundësuar të pretendonin një mandat të tretë, pasi personat e prekur nga ky proces janë hequr edhe nga listat zgjedhore. “Kjo na ka sjellë në situatë që ne ta humbim mandatin e tretë që e kemi pretenduar”, u shpreh ai. Deri në orën 19:00, sipas të dhënave të Kamberit, në 37 qendra votimi në Preshevë kishin votuar 16.600 qytetarë, ndërsa në qendrat shqiptare të Bujanocit 10.853. Pse këto zgjedhje janë ndryshe për Serbinë? Zgjedhjet e 25 tetorit zhvillohen pas dy vitesh protestash kundër qeverisë dhe korrupsionit, të cilat u përshkallëzuan pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Nga këto protesta doli edhe Lista Studentore, e cila përballet me Partinë Përparimtare Serbe të Aleksandër Vuçiçit. Vuçiç, i cili dha dorëheqjen nga posti i presidentit në fund të shtatorit, synon të rikthehet në krye të qeverisë si kryeministër. Në zgjedhje kishin të drejtë vote mbi 6.4 milionë qytetarë, ndërsa 18 lista garuan për 250 vendet e Parlamentit. Pas mbylljes së qendrave të votimit, vëmendja zhvendoset te numërimi i votave dhe rezultati i garës mes partisë së Vuçiçit dhe Listës Studentore, si dhe te numri i mandateve që do të sigurojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 20:37 Serbia në pritje të rezultateve të zgjedhjeve, Vuçiç mbërrin në selinë e partisë! Në orën 22:30 pritet të dalë me rezultatet e para Aleksandër Vuçiç ka mbërritur në selinë e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), ku ndodhet edhe shtabi zgjedhor i listës “Aleksandër Vuçiç – Serbia e Bashkuar”, pas mbylljes së qendrave të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi. Sipas mediave serbe, Vuçiç pritet të dalë në një konferencë rreth orës 22:30, ku do të prezantojë rezultatet paraprake të zgjedhjeve U.D/Shqiptarja.com Share U.D/Shqiptarja.com TAG: zgjedhjet ne serbi aleksander vucic Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
15 Tetor, 13:43
A i mbështesni protestat e dhunshme në vend? Po 18.7% Jo 78.5% Disi 2.8% Vota total: 15068 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Tetor, 13:43 A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?

