Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, zhvilluan sot një takim në ambientet e Kuvendit të Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e një kandidati konsensual për Presidentin e ri të vendit. Pas takimit, siç raporton korrespondentja e Top Channel Leonita Bajrami, Kurti deklaroi se palët kanë diskutuar për emra konkretë dhe se besimi mes tyre është rritur.
“Do të vazhdojnë bisedimet, sepse është rritur mirëbesimi dhe kemi biseduar për emra të përveçëm”, deklaroi Kurti.
Kryeministri në detyrë tha se emrat e diskutuar nuk janë kontaktuar ende për t’u pyetur nëse janë të gatshëm të kandidojnë për postin e Presidentit. Për këtë arsye, sipas tij, emrat nuk mund të bëhen publikë në këtë fazë.
“Nuk janë emra të cilët i kemi pyetur paraprakisht nëse duan të jenë President apo Presidente. Andaj, në këtë fazë nuk mund t’i përmendim emrat”, shtoi Kurti. Top Channel

