Në një lëvizje të pazakontë, mbreti Charles III i Britanisë së Madhe i është përgjigjur indirekt kritikave të vëllait të të ndjerës Princeshë Diana, duke theksuar përmes një përfaqësuesi se dhimbja e humbjes mund “të turbullojë arsyetimin, të ndikojë në gjykim dhe të ndryshojë kujtesën”.
Pretendimet e Charles Spencer, të përfshira në kujtimet e tij që pritet të publikohen së shpejti, lidhen me sjelljen e Charles në ditët e para pas vdekjes tragjike të Dianës në një aksident automobilistik në vitin 1997.
Diana humbi jetën në moshën 36-vjeçare, kur makina me të cilën udhëtonte së bashku me partnerin e saj, Dodi al-Fayed, u përplas me një kolonë në një tunel në Paris. Automjeti po lëvizte me shpejtësi të madhe, teksa ata po përpiqeshin t’u shpëtonin paparacëve që i ndiqnin me motorë.
Në kujtimet e tij, Charles Spencer pretendon se, disa ditë pas vdekjes së Dianës, Charles i kishte thënë: “Ji i sigurt se së shpejti do ta kemi harruar”, sipas një fragmenti të publikuar nga gazeta britanike Daily Mail.
Sipas artikullit, kjo fjali dyshohet se është thënë nga Charles gjatë një debati lidhur me atë nëse princat William dhe Harry duhej të ecnin në këmbë pas arkivolit të nënës së tyre gjatë ceremonisë mortore. Spencer kishte qenë kundër këtij vendimi.
I pyetur për pretendimet e Spencer në librin e tij, një zëdhënës i Pallatit Buckingham deklaroi: “Edhe pse parimi ynë është të mos komentojmë libra, Madhëria e Tij është e vetëdijshme se dhimbja e humbjes së një vëllai apo motre mund të turbullojë arsyetimin, të ndikojë në gjykim dhe të ndryshojë kujtesën në mënyra që të tjerët mund të mos i kuptojnë, edhe shumë vite pas një humbjeje të tillë”.

