Mbledhja e 22-të e Komitetit të Stabilizim Asociimit që u mbajt në Tiranë, ishte arena e radhës për përplasjet politike mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita nuk u kursye që në sy të parlamentarëve evropianë të rendiste ato që i cilëson si problematikat kryesore, që nga zvogëlimi i hapësirës së tyre në parlament e deri tek kontrolli që kuvendi duhet t’i bëjë qeverisë. “Në shtator 2025, opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për të verifikuar keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje. Mazhoranca e pengoi ngritjen e këtij Komisioni Hetimor. Ju drejtuam Gjykatës Kushtetuese. E fituam çështjen dhe në korrik 2026 Gjykata Kushtetuese urdhërojë Kuvendit që të lejojë ngritjen e këtij komisioni hetimor. Edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ende kjo e drejtë e opozitës nuk është zbatuar dhe komisioni hetimor nuk është ngritur. Rasti më i fundit ishte vendimi i javës së shkuar, lidhur me statusin e magjistratëve, ku haptazi shumica parlamentare rimiratoi një ligj, i cili është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese plot tri herë”, tha Bardhi. LEXO EDHE:Balluku? Eurodeputetja Wiseler-Lima: SPAK ndër institucionet e besueshme për shqiptarët, reforma në drejtësi e pakthyeshme (VIDEO) “Janë të paktën 17 nisma për të cilat ne, si opozitë, kemi ngritur shqetësimin se janë ligje me porosi. Mund të përmendim ligjin për investimet strategjike, të cilin kolegët tanë në Parlamentin Europian e kanë trajtuar në rezolutën e tyre të fundit; ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, të miratuara falë dobësimit të rolit të Kuvendit; si dhe ligjin për të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”, tha Tabaku. Pretendimet të tilla hidhen poshtë nga kryetari i grupit palamentar të PS-së, Taulant Balla që i sfidon t’i drejtohen drejtësisë. “Nuk është e vërtetë që kuvendi bën ligje me porosi. Është çështje këndvështrimesh dhe jeni të mirëpritur t’u drjetoheni organeve të drejtësisë. Paketa e Maleve do t’u japë zonave të ndryshme mundësi zhvillimi për një sektor që është jetik për ne, agroturizmi”, tha Bardhi. Rasti i ish-zv. kryeministres Belinda Balluku, për të cilën Kuvendi refuzoi kërkesën e SPAK për arrestim u bë sërish pjesë e debatit në këtë tryezë. “Kuvendi i ofroi mbrojtje politike duke mos hequr imunitetin me argumentin se nuk është e korruptuar por thjesht ka abuzuar me pushtein. 11 ditë më parë SPAK njoftoi se kishte zbuluar një tjetër rast korrupsioni, një tender publik në këmbim të një super vile luksoze. Sot SPAK ende nuk ka paraqitur një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të saj”, tha Bardhi. “Pavarësia nuk është se sigurohet përnjëherësh. Kërkesat për imunitet për shembull vendosen këtu”, tha eurodeputetja Wiseler-Lima. Nga ana tjetër, Brukseli ka vetëm një mesazh kryesor, që Shqipëria të mos bëjë hapa pas në zbatimin e reformave e t’i kthejë ato në të zbatueshme. “Progresi i negociatave kërkon progres në të gjitha reformat që kërkon BE. Duhet të mos kemi kthim mbrapa. Puna për konsolidimin e reformës në drejtësi duhet të vazhdojë. Rezultatet duhet të jenë të pakthyeshme”, tha ambasadorja e BE në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa. “Lipset që jo vetëm të miratojmë reforma, por edhe të sigurohemi që të vihen në zbatim në terren. E di që mes opozitës dhe pozitës ka debate, por e rëndësishme është të vazhdohet të punohet për të pasur një klimë më të qetë”, u shpreh kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Marco Tarquino. Në mbledhjen e fundit të Komitetit të Stabilizim Asociimit që u mbajt në Strasburg më 9 korrik, u mbyll pa një deklaratë të përbashkët, pasi opozita dhe mazhoranca nuk arritën të gjenin numrat. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 13:09 Balluku? Eurodeputetja Wiseler-Lima: SPAK ndër institucionet e besueshme për shqiptarët, reforma në drejtësi e pakthyeshme (VIDEO) Eurodeputetja Isabel Wiseler-Lima tha në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit në Tiranë se SPAK është ndër institucionet e besueshme dhe të suksesshme të reformës në drejtësi. Megjithatë, ajo sheh si problem pavarësinë duke shtuar se është Kuvendi ai që vendos për kërkesat e heqjes së imunitetit.“SPAK-u është në fakt një nga institucionet që shqiptarët kanë më shumë besim dhe janë ndër institucionet që janë të suksesshme brenda reformës në drejtësi. Ndaj dhe kjo është edhe arsyeja pse ju keni marrë një vlerësim pozitiv në raportin interim. Pra kjo është një reformë e cila është fakt për të cilët është rënë dakord nga të dyja palët që në atë kohë. Por megjithatë pavarësia nuk është se sigurohet përnjëherësh. Kërkesat për imunitet për shembull vendosen këtu. Dhe çdo hetim dhe fillimi i tyre do të duhet vendosen këtu dhe ndërkohë anëtarët e Këshillit të prokurorisë dhe gjyqësorit zgjidhen nga parlamenti. Kjo nuk është një detyrë e lehtë. Pra dhe pyetja a do të jetë reforma në drejtësi e pakthyeshme? Dhe unë besoj fort që përgjigja është po”, tha eurodeputetja.Komenti i Wiseler-Lima vjen pas votimit kundër nga Kuvendi për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe thirrjen e përsëritur nga opozita për dorëzimin e kërkesës nga SPAK për arrestimin e saj, pas akuzave të reja për fshehje pasurie. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 12:07 ‘Balluku’, Bardhi: Në 3 muaj i janë zbuluar 2 vila luksoze, SPAK asnjë kërkesë të re për arrestimin! Kuvendi të kërkojë transparencë (VIDEO) Gazment Bardhi ngriti para mbledhjes së Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE shqetësimin për çështjen e ish-zv. kryeministres Belinda Balluku duke u shprehur se votimi i Kuvendit për të mos i hequr imunitetin, ishte mbrojtje politike për të. Ai solli në vëmendje sekuestrimin e vilës së dytë të Ballukut në Palasë dhe mosparaqitjen e kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.Bardhi shtoi se s’ka pasur asnjë reagim pendese nga mazhoranca, ndërsa parlamenti duhet të kërkojë transparencë dhe të mos ndërhyjë në çështjet e drejtësisë.“Kuvendi i ofroi mbrojtje politike nga arrestimi duke mos i hequr imunitetin me argumentin se nuk është e korruptuar, por abuzoi me pushtetin. 11 ditë më parë, SPAK njoftoi zyrtarisht se kishte arritur të zbulonte një tjetër rast korrupsioni të Belinda Ballukut, një super vilë luksoze në një nga plazhet më të bukura të jugut. Në 3 muaj, i janë zbuluar 2 vila luksoze në këmbim të 2 tenderave. SPAK ende s’ka paraqitur një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të saj edhe pse ndaj saj rëndojnë 2 akuza për korrupsion, 2 akuza për pastrim parash në bashkëpunim, 2 akuza për fshehje pasurie dhe 8 akuza për shkelje të barazisë në tendera. Kolegët e mazhorancës nuk kanë shprehur asnjë pendesë. Dua ta them shumë qartë: nuk është detyra e politikës të shpallë fajtorë njerëzit. Këtë e bën vetëm gjykata. Por është detyra e parlamentit të kërkojë llogari politike dhe transparencë kur ngrihen dyshime serioze mbi mënyrën se si është ushtruar pushteti. Është detyra e Parlamentit të jap mesazh të qartë se e mbështet luftën ndaj korrupsionit, se nuk mbështet asnjë zyrtar të korruptuar, dhe se nuk ndërhyn në cështje të drejtësisë për të marrë në mbrojtje të korruptuarit. Demokracia testohet kur drejtësia mund të hetojë qeverinë”, tha Bardhi. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 11:56 Tabaku: Parlamenti mbron interesat e pakicës, ka ngritur agjenci pa transparencë! Reforma zgjedhore dhe territoriale, të njëanshme! (VIDEO) Në fjalën e saj në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, Jorida Tabaku tha se opozita e mbështet procesin e anëtarësimit, por do të jetë kritike “sa herë që ai nuk ecën në binarët e duhur.”Deputetja u shpreh se parlamenti nuk mbron interesin publik, por ato të pakicës, kryen konsultime jo efektive, ka ngritur agjenci e shoqëri pa transparencë e llogaridhënie. Gjithashtu shtoi se reforma zgjedhore e territoriale është e njëanshme.“Fatkeqësisht, parlamenti, i cili duhet të jetë mbrojtësi i interesit publik, është shndërruar në promotor të interesave të pakicës dhe në shkelës të ligjit dhe frymës së Kushtetutës. Kjo sjellje e pandershme ndaj qytetarëve shqiptarë dhe aspak në linjë me procesin e integrimit është vërejtur edhe nga Komisioni Europian. Në raportin e vitit 2026 për shtetin e së drejtës ngrihet sërish shqetësimi për konsultimet joefektive dhe për nismat që paraqiten në momentin e fundit nga deputetët, duke cenuar transparencën dhe kontrollin parlamentar. Së dyti, kjo mënyrë funksionimi e Kuvendit ka prodhuar një sërë agjencish dhe shoqërish që bien ndesh me parimet e procesit të integrimit dhe të shtetit ligjor. Në këto struktura mungojnë transparenca dhe llogaridhënia, duke e kthyer demokracinë tonë në një demokraci deficitare. Dy reforma të rëndësishme, reforma zgjedhore, e cila duhet të mbështetet në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, dhe reforma territoriale, po zhvillohen në mënyrë të njëanshme. Një reformë pa konsultim dhe në dëm të interesit publik nuk sjell decentralizim. Ajo i shërben përqendrimit të mëtejshëm të pushtetit”, tha Tabaku. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 11:47 Balla u përgjigjet akuzave të opozitës: Kuvendi s’bën ligje me porosi, mund t’i drejtoheni drejtësisë (VIDEO) Taulant Balla mohoi akuzat e opozitës në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE se ligjet e hartuara nga Kuvendi janë me porosi. Ai i ftoi t’i drejtohen drejtësisë, ndërsa shtoi se Paketa e Maleve për të cilën opozita ka kërkuar shfuqizim, sjell mundësi zhvillimi.Për reformën territoriale që opozita e quan “të njëanshme”, Balla tha se komisionit i mbaroi afati, ndërsa ai nuk e sheh si një reformë të thellë.“Nuk është e vërtetë që Kuvendi bën ligje me porosi. Është çështje këndvështrimesh dhe jeni të mirëpritur t’u drejtoheni organeve të drejtësisë.Sa i takon Paketës së Maleve do t’i japë zonave të ndryshme mundësi zhvillimi për një sektor që është jetik për ne, agroturizmi.Për territorialen, duhet të jemi korrekt: atij komisioni i përfi mandati dhe nuk pati dakordësi për zgjatjen e afatit. Procedura parlamentare nuk ka përfunduar, sapo ka kaluar në fazën e shqyrtimit në parlament. Nuk është një reformë e thellë, kalohet nga 61 në 46”, tha Balla. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 11:35 Bardhi: Opozitës i mohohet e drejta për të kontrolluar qeverinë! S’është ngritur komisioni hetimor për 11 majin (VIDEO) Nga ana e opozitës, u soll në vëmendje shqetësimi për dobësimin e kontrollit të pakicës parlamentare mbi qeverinë. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, tha se kryeministri ka refuzuar 7 kërkesa për interpelancë nga opozita.“Kryeministri në 1 vit të kësaj legjislature, nuk ka pranuar asnjë interpelancë apo kërkesë për llogaridhënie nga opozita. Janë 7 kërkesa të tilla në një vit, që Kryeministri ka refuzuar t’i përgjigjet, duke e reduktuar prezencën e tij në Kuvend, vetëm kur nevojitet vota e tij për të miratuar ndonjë ligj me shumicë të cilësuar. Kjo i ka pamundësuar opozitës të luajë rolin e vet në një shoqëri demokratike, që ndër të tjera është edhe të mbajë përgjegjëse Qeverinë për fenomene negative, që prekin interesin publik”, tha Bardhi.Ai shtoi se nuk është ngritur ende as komisioni hetimor për 11 majin, çështje që opozita e fitoi në Gjykatën Kushtetuese. Më pas, u ndal te miratimi i ligjit për pagat e gjyqtarëve, pas ngërçit që u krijua me bllokimin e tyre nga Thesari i Shtetit.“Shumica parlamentare rimiratoi një ligj, i cili është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese plot tri herë, duke injoruar standardet që kjo Gjykatë i kishte lënë detyrë Kuvendit. Kryeministri bëri të qartë në seancë plenare, se Gjykata Kushtetuese mund të kontrollojë dhe shfuqizojë një ligj, por nuk na detyron ne sesi do të votojmë”, tha Bardhi.“Për ne deputetët e opozitës, Shqipëria nuk do të bëhet europiane vetëm duke miratuar ligje me emra europianë. Shqipëria bëhet europiane kur institucionet funksionojnë sipas standardeve europian”, tha Bardhi.Ai nënvizoi se objektivi s’duhet të jetë veç mbyllja e kapitujve:“Objektivi duhet të jetë të hapim një kapitull të ri për Shqipërinë: Një Shqipëri me institucione më të forta. Me Parlament më të fuqishëm”, përfi Bardhi. P.J/Shqiptarja.com Share P.J/Shqiptarja.com TAG: Sofia Moreira de Sousa taulant balla Komiteti i stabilizim asociimit Marco Tarquino Isabel Wiseler-Lima gazment bardhi Jorida Tabaku Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Arta: 21/09/2026 12:23 Filluan dy goret e plakut mere kto dy ne shqiperi e vokshi e te tjere jashte shqiperise,aman po si nuk folen nje here mire per te miren e ketij vendi,nuk kan faj se vete e kan ne terezi,lereni ore te futet ky vend ne BE qe te perfitojne edhe populli Përgjigju Sondazhi i ditës:
16 Shtator, 14:18
Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 6.7% Të gabuar 88.3% Nuk e di 5% Vota total: 6137 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 16 Shtator, 14:18 Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?

