Në vendin tonë qarkullojnë 1,1 milion automjete, prej të cilave mbi 58 mijë kanë hyrë në qarkullim për herë të parë përgjatë 2026. Të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor bëjnë me dije se numri i mjeteve të regjistruara për herë të parë u rrit me 1.6%, ndërsa ky është niveli i dytë historik më i lartë pas 7-mujorit 2024. Vetëm në muajin korrik u regjistruan 9,614 mjete, me tkurrje prej 4.1% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Importet e mjeteve u ngadalësuan pas marsit, si rrjedhojë e vështirësive me transportin që u shfaqën pas konfliktit në ngushticën e Hormuzit, që rriti koston e automjeteve që vijnë nga Azia, ndonëse ato nuk kalonin direkt nga kjo ngushticë. Në 7 muaj janë regjistruar 6,400 mjete elektrike, fakt që tregon se interesi për to është rritur në raport me 2025. Mjetet elektrike përbënin 11% të regjistrimeve të mjeteve për herë të parë për periudhën janar-korrik. Koreja e Jugut dhe Kina vijojnë të jenë tregjet kryesore nga ku shqiptarët po preferojnë të marrin automjetet dy vitet e fundit. Ato përbëjnë respektivisht 26% dhe 16,2% të totalit të makinave që janë regjistruar për herë të parë. Gjermania dhe Italia, dy shtetet e dikurshme dominuese, kanë kaluar në vend të tretë dhe të katërt, përkatësisht me 6.9 dhe 6.8 mijë mjete për 7-mujorin.
