Më shumë se 20 fluturime në vende të ndryshme të Evropës janë prekur këtë javë nga një valë kërcënimesh të rreme për vendosjen e bombave në avionë. Alarmet kanë shkaktuar kaos në aeroporte, kanë detyruar devijimin e disa fluturimeve dhe në raste të caktuara kanë vënë në gatishmëri edhe avionët luftarakë. Vetëm të enjten janë regjistruar ndërprerje në më shumë se një duzinë fluturimesh, mes tyre katër devijime në Republikën Çeke dhe dy në Itali. Kjo ishte dita e dytë brenda javës që aeroportet evropiane përballeshin me incidente të tilla. Të martën, të paktën shtatë fluturime dhe një anije turistike kishin marrë kërcënime me bombë. Kërcënimet u dërguan përmes emaileve Ende nuk është e qartë se kush qëndron pas kësaj vale alarmesh, por autoritetet çeke dhe italiane kanë konfirmuar se kërcënimet janë përcjellë përmes postës elektronike. Sipas një përfaqësuesi të aeroportit Václav Havel në Pragë, kërcënimet për vendosjen e bombave në katër fluturime mbërritën përmes një emaili anonim. Policia çeke konfirmoi se mesazhi i ishte drejtuar aeroportit, ndërsa emaile të ngjashme ishin dërguar edhe në aeroporte të tjera evropiane. Në Itali, kërcënimet për dy fluturime drejt Romës erdhën nga një grup antifeminist që identifikohet si “Shteti Mashkullor”. Emaili iu dërgua një kompanie të qendrave logjistike që bashkëpunon me aeroportin Fiumicino të Romës dhe pretendonte se në dy avionë, njëri nga Helsinki dhe tjetri nga Dublini, ishin vendosur pajisje shpërthyese. Autoritetet konfirmuan autenticitetin e mesazhit, por kërcënimet rezultuan të rreme.
Sipas Qendrës Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizmin, grupi “Shteti Mashkullor” u krijua në Rusi në vitin 2016 si një lëvizje mizogjine dhe më vonë u shfaq si mbështetës i luftës së Moskës në Ukrainë. Në vitin 2021, një gjykatë ruse e shpalli atë organizatë ekstremiste dhe e ndaloi.
Dyshime për një fushatë më të gjerë hibride
Deri më tani, asnjë shtet apo organizatë nuk është identifikuar zyrtarisht si përgjegjëse për kërcënimet. Bashkimi Evropian ka deklaruar se është ende herët për të përcaktuar nëse incidentet kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Megjithatë, analistët e sigurisë nuk përjashtojnë mundësinë që bëhet fjalë për një fushatë më të gjerë hibride, me synim krijimin e kaosit dhe testimin e reagimit të autoriteteve dhe kompanive ajrore.
Eric Schouten, drejtues i grupit të sigurisë së aviacionit Dyami, sugjeroi se pas incidenteve mund të qëndrojnë sabotatorë që veprojnë në emër të shtetit rus. Ai vuri në dukje se kërcënimet ndaj aviacionit përshtaten me një model më të gjerë operacionesh që synojnë të destabilizojnë Evropën, veçanërisht në vendet që mbështesin Ukrainën.
Ndërkohë, ministrja britanike e Transportit, Heidi Alexander, i cilësoi incidentet si “mashtrim dashakeq”, duke theksuar se autoritetet kanë ndjekur procedurat e përcaktuara për trajtimin e kërcënimeve të tilla.
Fluturimet devijohen, por nuk gjenden eksplozivë
Pavarësisht shqetësimit dhe ndërprerjeve të krijuara, deri më tani të gjitha kërcënimet kanë rezultuar të rreme. Autoritetet nuk kanë raportuar gjetjen e pajisjeve shpërthyese në avionët e kontrolluar.
Të enjten, pasagjerët dhe ekuipazhet e të paktën 14 avionëve u prekën nga alarmet. Një fluturim i kompanisë Aer Lingus, me destinacion Romën, u devijua drejt Francës, ndërsa dy avionë nga Spanja dhe Danimarka u detyruan të uleshin në Sofje të Bullgarisë. Këto incidente pasuan devijimin e të paktën shtatë fluturimeve të martën.
Ekspertët paralajmërojnë se qëllimi i këtyre kërcënimeve mund të mos jetë vetëm shkaktimi i vonesave dhe kaosit, por edhe vëzhgimi i mënyrës se si reagojnë kompanitë ajrore dhe institucionet përgjegjëse.
Eliran Almog, drejtues i kompanisë së sigurisë kibernetike të aviacionit Cyviation, vuri në dukje se incidentet po ndodhin në të njëjtën periudhë me sulmet kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarkete në vende të ndryshme të Evropës.
Sipas tij, ndërprerjet në shërbimet thelbësore po shkaktojnë kosto ekonomike dhe rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

