Një qytetar ka ngritur një shqetësim të fortë për mënyrën se si u përcoll në banesën e fundit Agim Beqiri, elektricisti nga Pogradeci që humbi jetën në krye të detyrës disa javë më parë.
Sipas mesazhit të mbërritur në redaksi, Beqiri kishte punuar për rreth 35 vite si elektricist pranë bashkisë dhe gjatë gjithë kësaj kohe i kishte shërbyer qytetarëve të Pogradecit.
Por dita e fundit e tij në punë u kthye në një tragjedi. Të dielën e datës 26.07.2026, ndërsa po riparonte një defekt elektrik, ai humbi jetën në shtyllë, në vendin ku kishte kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij duke punuar.
Për qytetarin që ka dërguar mesazhin, Agim Beqiri nuk ishte thjesht një punonjës, por një njeri që ra në krye të detyrës.
Ai ngre shqetësimin se një person që i kishte shërbyer komunitetit për dekada u përcoll në heshtje, pa vlerësimin që meritonte.
Sipas denoncimit, familja e tij ka mbetur me tre fëmijë dhe pa mbështetje pas humbjes së tij, ndërsa qytetari kërkon që sakrifica e tij të mos harrohet.
“Ky ishte hero për mua, sepse ra në krye të detyrës”, shprehet qytetari.
Mesazhi i plotë i qytetarit:
“Përshëndetje JOQ. Nuk durova dot pa ju shkruar. Është rasti në Pogradec i Agim Beqirit, elektricistit që i shërbeu popullit për 35 vjet si punonjës bashkie. Ditën e diel datë 26.07.2026 ishte duke riparuar defektin, kur mbeti në shtyllë i varur. Dhe nuk u kujtua askush për këtë njeri. U përcoll në banesën e fundit sikur të ishte një njeri i shkretë, sikur të ishte një i panjohur. Asnjë fjalim nuk u mbajt nga Bashkia e Pogradecit. La 3 fëmijë pas dhe nuk pati asnjë mbështetje nga askush. Ky ishte hero për mua, sepse ra në krye të detyrës. Unë po ju shkruaj më shumë që të dihet si u përcoll në banesën e fundit, sikur të mos i kishte shërbyer këtij populli një njeri i thjeshtë. Shteti nuk i mbajti asnjë fjalim në ceremoninë mortore, jo më t’i jepte një ndihmë familjes. Ai vdiq ditën e diel, në krye të detyrës.” View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

