Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania për personin që është shfaqur më herët në disa raste të denoncuara nga qytetarë të ndryshëm në Tiranë.
Pas verifikimit të pamjeve dhe materialeve të mbërritura në redaksi, personi i shfaqur në videot dhe fotografitë e publikuara është identifikuar si Gentian Bufazi.
Rasti më i fundit, sipas denoncuesit, ka ndodhur të shtunën pasdite në një tabachino në zonën e Selvisë.
Sipas dëshmisë, Bufazi ka hyrë në biznes dhe i ka thënë punonjësit se ishte me bashkëshorten në një hotel aty pranë dhe se hoteli i kishte mbajtur 150 euro. Ai i ka kërkuar punonjësit 100 mijë lekë të vjetra, duke i premtuar se do t’ia kthente në euro pasi, sipas tij, nuk kishte exchange të hapur.
“Më ka mbajt hoteli 150 euro për 10 mijë lekë, po jam me gruan aty. Më jep 100 mijë lekë dhe të t’i jap në euro se s’ka exchange hapur. Dy minuta erdha,” thuhet në denoncim.
Punonjësi, sipas qytetarit, ia ka dhënë shumën e kërkuar, por personi nuk është kthyer më.
Denoncuesi thotë se disponon edhe video me audio nga ngjarja, por nuk e ka dërguar për publikim pasi në material shfaqet punonjësi dhe nuk dëshiron që fytyra e tij të bëhet publike.
Ky rast vjen pas disa denoncimeve të tjera të publikuara më herët nga JOQ Albania, ku qytetarë të ndryshëm kanë pretenduar se i njëjti person u ka kërkuar para ose shërbime duke premtuar se do t’i kthente apo paguante pak minuta më vonë.
Në një rast të mëparshëm, një qytetar pretendoi se personi kishte marrë 100 mijë lekë me justifikimin se i duheshin për të paguar një hotel. Në një tjetër denoncim, një biznes pranë Urës së Tabakëve raportoi një kërkesë për 80 mijë lekë të vjetra, ndërsa një tjetër qytetar pretendoi se personi kishte konsumuar ushqim dhe pije në një biznes në zonën e Dispancerisë dhe ishte larguar pa paguar.
JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit që të verifikojë të gjitha denoncimet dhe materialet e publikuara dhe, nëse konfirmohen shkelje ligjore, të marrë masat përkatëse.
Gentian Bufazi ka të drejtën të japë versionin e tij dhe të sqarojë publikisht pretendimet e ngritura ndaj tij.

