A i mbani mend 10 kriteret se si të dalloni një konspiracionist?
Kriteri 4 thotë se konspiracionistët gjithmonë shfrytëzojnë grupet vulnerabël për të përhapur çmenduritë e veta. Preferohen fëmijët, jetimët dhe gratë shtatzëna, në raport me të cilët opinioni publik është veçanërisht i ndjeshëm.
Mashtrimi i radhës i konspiracionistëve është se vaksinat kundër COVID-it përbëjnë rrezik për gratë shtatzana, pasi rrezikojnë ndër të tjera edhe për abort spontan.
Mashtrimi shkon edhe më tej. Sipas konspiracionistëve që janë duke lexuar çdo rresht të shënimeve të Dr. Anthony Faucit, ky i fundit deklaronte gjatë pandemisë se vaksina ishte e sigurt, ndërkohë që në shënimet e veta u referohej studimeve që flisnin për rritje të riskut të abortit tek gratë shtatzëna pas vaksinimit.
Si qëndron e vërteta?
Le t'i marrim me radhë.
Së pari, që në javët e para të COVID-it, u kuptua se shtatzania ishte faktor risku për të zhvilluar forma të rënda të COVID-it. Pra, një grua shtatzënë e infektuar kishte risk më të lartë se një grua me të njëjtën moshë e të njëjtët parametra shëndetësore për të zhvilluar forma më të rënda të COVID-it. Kjo bëri që gratë shtatzëna të ishin gjatë gjithë pandemisë objekt këshillash të veçanta për kujdes të shtuar për të shmangur infektimin.
Provat e para të vaksinës kishin pak informacion për efektet e vaksinës tek gratë shtatzëna dhe në grupin e parë të vaksinave që doli në treg, deklarohej se "nuk ka informacion të plotë mbi efektet e vaksinës tek gratë shtatzëna".
Në shtator 2021 doli një studim i bazuar mbi 2,500 gra shtatzëna të vaksinuara që përcaktoi një risk tepër të lartë të abortit spontan, midis 13% dhe 14%. Studime të mëvonshme, me numra shumë më të lartë grash shtatzëna të ndjekura, e hodhën poshtë këtë gjetje.
Sot që shkruajmë, Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), institucioni shkencor më prestigjioz amerikan (i cili tashmë drejtohet nga ekipi i emëruar nga Presidenti Tramp dhe Sekretari Kennedy) deklaron në faqen e vet zyrtare se pas ndjekjes së mbi 1 milion grave shtatzëna të vaksinuara, nuk është identifikuar ndonjë risk i shtuar shëndetësor, përfshi riskun për abort.
Website i CDC-së konfirmon se edhe në rastin e grave shtatzëna, risku i efekteve anësore të vaksinës është më i ulët se përfitimet që vaksina sjell në mbrojtjen e shëndetit të gruas shtatzënë dhe foshnjës ndaj infeksionit.
E përsëris edhe njëherë:
KY NUK ËSHTË QËNDRIM PERSONAL AS I ERION DASHOS, AS I ANTHONI FAUCIT, AS I KUJTDO TJETËR!
ËSHTË POZICIONI ZYRTAR I QEVERISË AMERIKANE, I SHPREHUR NË TË DHËNAT E FUNDIT SHKENCORE QË DISPONOHEN SOT NË GUSHT 2026.
Atëherë si shpjegohet që Anthoni Fauci tjetër gjë shënonte në ditarin personal dhe tjetër gjë deklaronte?
Dr. Fauci nuk ishte vetëm një zyrtar publik, por edhe një shkencëtar me karrierë mbi 60 vjeçare në shkencë. Shkencëtari në shënimet e veta private, në studimet e veta, hulumton e mbledh çdo provë, edhe kur ajo shkon kundër njohurive dhe bindjeve të veta, në ndryshim nga konspiracionistët që mbledhin vetëm ato prova që u interesojnë.
Pra është komplet normale që në shënimet private të kujtdo zyrtari apo shkencëtari të ketë deklarime kontradiktore. Në fund, publikut i komunikohet përfundimi, pasi janë ballafaquar gjithë faktet, burimet, të dhënat, informacionet dhe njohuritë.
Kushdo që ka interes mund të lexojë screenshotet e faqes në internet të CDC-së, ose ta lexojë atë direkt në shqip, duke përdorur funksionin e përkthimit automatik. Në komentin e parë në fund të statusit, gjendet linku tek faqja online e CDC-së.
Këshilla e fundit për sot:
MOS U MERRNI ME KONSPIRACIONISTËT E FANTAKSUR, POR MËSONI TË LEXONI FAKTET!
GJENI NJË INSTITUCION TË BESUESHËM SI CDC, CDC EVROPIANE, NJË SPITAL OSE RRJET SPITALOR NDËRKOMBËTAR PRESTIGJIOZ DHE LEXONI REKOMANDIMET E TYRE!
DO TË MBRONI SHËNDETIN DHE JETËN TUAJ DHE TË FAMILJARËVE TUAJ!
QËNDRONI LARG KONSPIRACIONISTËVE!/ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

